Në Kolegjin AAB, me rastin e inaugurimit të skenës së re të Teatrit Kamertal, u realizua Premiera e shfaqjes “Bretkosa” me regji të Burbuqe Berishës dhe me aktorët: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi.
Në konferencën për media, regjisorja e kësaj shfaqje, Burbuqe Berisha tregoi që shfaqja “Bretkosa” është e zhanrit dramë me disa elemente komike, ku si temë kryesore ka vetminë e cila lidhet edhe me aktualitetin në vendin tonë.
“Shfaqja është rikthyer për jetën social-politike të Kosovës domethënë për traumat e pas luftës të njerëzve të thjeshtë të atyre që kanë sakrifikuar shumë dhe në fakt që ballafaqohen me një realitet që nuk e kanë prit pas luftës. Shfaqja ka si temë kryesore vetminë, një njeri i vetmuar në një hapësirë të madhe urbane siç është Prishtina, i cili në disa versione të ndryshme ka ndryshime të tipit të karakterit”, u shpreh regjisorja Burbuqe Berisha.
Aktori kryesor i shfaqjes “Bretkosa”, Ilir Tafa, tregoi që ky rol ka qenë njëri ndër rolet më të vështira që ka luajtur deri tani por, ai u shpreh se shfaqja ka arritur qëllimin që ka pasur.
“Mendoj që shfaqja e ka arritur qëllimin, aty ku ka dashur edhe regjisorja, karakteret janë ndërtuar shumë mirë, është një lojë pak më ndryshe se sa jem mësuar të shikojmë pasi që luhet në skenë të vogël dhe skena e vogël për aktorë është nganjëherë më e vështirë por është edhe më e mirë pasi që publikut nuk i ikë asgjë pa e vërejtur ndërsa skena më e madhe është më ndryshe”, u shpreh aktori Tafa.
Aktori Ilir Tafa rrëfeu që janë bërë 8 vite që nuk ka luajtur në ndonjë shfaqje në Kosovë dhe arsyeja që ka vendosur të luajë shfaqje prapë është teksti i shfaqjes “Bretkosa”, pasi që kjo shfaqje ka edhe filmin me metrazhë të gjatë, ku aktori Tafa ka qenë pjesë e këtij filmi.
Ndërsa aktori Donat Qosja, shprehu që ka qenë një eksperincë shumë e mirë për të, ndonëse kanë kaluar nëpër kriza të ndryshme.
“Po mendoj që skenaristi në këtë rast, ka bërë një punë të jashtëzakonshme me skalitje të karaktereve dhe e ka shkruajtur aq mire sa që na ka lehtësuar punën,pastaj edhe puna jonë ka qenë më e thellë brenda këtyre karaktereve. Nuk ka qenë shfaqje e lehtë për tu punuar, kemi kaluar kriza të ndryshme brenda saj”, u shpreh aktori Qosja.
Shfaqja “Bretkosa” është e autorit Kroat Dubravko Mihanovic, ku gjithashtu kjo shfaqje është luajtur edhe në Kroaci dhe në Bosnje.
Kujtojmë se repriza e shfaqjes “Bretkosa” , vjen edhe sonte nga ora 20.00 në teatrin Kamertal të Kolegjit AAB./GazetaKNN/