Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka zgjeruar listën e vendeve në Irak në të cilat kërkohet nga qytetarët e saj të kenë kujdes gjatë udhëtimit, duke shtuar provincat Dohuk, Erbil dhe Suleymaniye, të cilat ndodhen në kufi të Administratës Rajonale Kurde (ARK), raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Turqisë për shtetasit e saj të cilët ndodhen në Irak ose planifikojnë të vizitojnë shtetin, rikujtohet se referendumi i cili mbahet atje sot, sjell rrezik të ri dhe pasiguri në Irak, duke mos përjashtuar përleshjet e mundshme.
“Është e mundur që disa grupe radikale dhe organizata terroriste të përpiqen të keqpërdorin paqëndrueshmërinë e shkaktuar nga referendumi, dhe për cak të kenë interesat e shtetit tonë në Irak, përfshirë edhe Administratën Rajonale Kurde”, thuhet në njoftim.
Shtetasit turq të cilët ndodhen në ato provinca, këshillohen të ndërmarrin masa të shtuara të kujdesit, të shmangin vendet me frekuentim të lartë dhe të jenë në kontakt me Ambasadën e Turqisë në Bagdad dhe me konsullatën në Erbil, ndërsa personat të cilët ndodhen në provincat e lartpërmendura, këshillohen të largohen nga të njëjtat.