Autoritetet turke të martën kanë dhënë urdhër për arrestimin e 168 personave, përfshirë personelin ushtarak, për shkak të dyshimeve për lidhjet që kanë me klerikun Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016.
Turqia i ka shtypur pa mëshirë përkrahësit e dyshuar të Gulenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, që nga përpjekja për puç, kur ishin vrarë 250 njerëz. Operacionet kundër rrjetit të Gulenit ende janë mjaft të shpeshta.
Zyra e Prokurorit të Stambollit tha se ka dhënë urdhër për arrestimin e dy civilëve dhe 52 pjesëtarëve të personelit ushtarak, përfshirë dy kolonelë të dalë në pension, një kolonel lejtënant në detyrë dhe dy ish-majorë, të cilët ishin përjashtuar më parë nga ushtria. Më shumë se gjysma e tyre u arrestuan në paraditen e së martës.
Në provincën qendrore të Konias, agjencia shtetërore e lajmeve tha se prokurorët kanë lëshuar urdhër për arrestimin e 50 personave. Agjencia “Anadolu” njoftoi se janë lëshuar fletarrestime për 36 ushtarë dhe një civil.
Kleriku Gulen filloi të jetonte në ekzil në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara që nga viti 1999. Ai ka mohuar se është i përfshirë në përpjekjet për puç në vitin 2016, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.