Rajon & Botë

Turqia ia kthen Gjermanisë: Nuk i lejon ligjvënësit e saj t’i vizitojnë trupat gjermane në Turqi

Autoritetet turke nuk e kanë lejuar një grup të ligjvënësve gjermanë që t’i vizitojnë trupat gjermane të stacionuara në bazën ajrore Incirlik në Turqi, njoftuan zyrtarët sot, një vendim ky që mund ta përkeqësojë mosmarrëveshjen mes aleatëve të NATO-s.

Ligjvënësve gjermanë iu mohua vizita në bazë sepse nuk ishte vlerësuar e përshtatshme që ajo të kryhej në atë kohë, kanë thënë për Reuters burime nga Ministria e Jashtme e Turqisë, por pa shpjeguar më shumë. Rreth 250 trupa gjermane janë të vendosura në bazën ajrore Incirlik, si pjesë e luftës kundër Shtetit Islamik (ISIS) në Sirinë fqinje, sipas forcave të armatosura gjermane.

Ndërkohë, Martin Schaefer, zëdhënësi i ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka thënë: “Është plotësisht e papranueshme që Turqia t’ua pamundësojë ligjvënësve gjermanë vizitën te trupat gjermane në Turqi.”

“Vizita e ligjvënësve duhet patjetër të bëhet e mundshme,” ka thënë Martin, duke shtuar se Gabriel do ta ngre këtë çështje me kolegët e vet nga qeveritë e NATO-s të martën në Uashington.

Marrëdhëniet mes aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Gjermanisë, janë përkeqësuar para referendumit të 16 prillit për ndryshime kushtetuese në Turqi, kur Gjermania ua ndaloi politikanëve turq që të mbanin fjalime para bashkëkombësve të vet në Gjermani, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka akuzuar Berlinin për taktika të ngjashme me ato naziste.

Një shumicë e ngushtë e turqve i mbështetet ndryshimet kushtetuese në referendum të cilat i kanë dhënë Erdoganit pushtet të ri dhe zgjeruar ekzekutiv. Gjermania dhe aleatët e saj perëndimorë kanë shprehur shqetësim për atë që druajnë se është autoritarizëm në rritje në Turqi./Express/