Aktuale

Turqia i kishte dërguar Kosovës listën për ekstradimin e “gylenistëve”

Turqia nuk kishte hequr dorë asnjëherë nga kërkesa e saj për ekstradim të personave që ajo i sheh i pjesëtarë të Organizatës FETO që e quan organizatë terroriste. FETO për presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan është më shumë se organizatë e themeluar nga dikur miku i tij, tash armiku, Fetullah Gylen.
Në gjah për të ashtuquajturit “gylenista”, Turqia e kishte shënjestruar edhe Kosovën, ku punon dhe vepron një numër i madh i tyre.

Sot pas një aksioni në orët e hershme, Policia e Kosovës arrestoi dhe i deportoi gjashtë shtetas turq në Turqi, me kërkesë të këtij shteti.

Pesë nga të deportuarit ishin pjesë e Kolegjit “Mehmet Akif”, kurse i gjashti ishte mjek, shkruan lajmi.net.

E sa i përket kërkesës së Turqisë drejtuar Kosovës për ekstradimin e personave që shteti turk i kërkon t’i gjykojë në vendlindje, lajmi.net ka raportuar më 3 shkurt të këtij viti.

Lajmi.net kishte raportuar se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë një listë nga Turqia për ekstradimin e disa personave që dyshohet të kenë pasur gisht në organizimin e puçit të 15 korrikut të 2016 në Turqi.

Nuk dihet nëse këta gjashtë personat e arrestuar sot janë në listën që ju dorëzua ministrit Tahirit.

Besohet se në atë listë janë rreth 15 persona.

Ndryshe, autoritetet kosovare në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte arrestuar shtetasin turk, Ugur Toksoy, i cili kërkohej nga Turqia si i lidhur me Lëvizjen e Fetullah Gylenit.

Mirëpo, pas më shumë se një muaji që ishte arrestuar me urdhër të prokurorisë, Toksoy, u lirua dhe u refuzua kërkesa e Turqisë për ekstradim. Kërkesën për ekstradim Ministria e Drejtësisë e Republikës së Turqisë, e kishte bërë më 16 dhe 19 tetor të vitit 2017, dhe Gjykatës Penale, kishte shpallur urdhër-arrest.

Prokuroi Ali Rexha, aso kohe kishte deklaruar se tërhoqi kërkesën për ekstradim të Toksoy-t, me arsyetimin se nuk kishte gjetje të provave në lidhje me atë që kishte kërkuar Turqia.

Kosova nuk është vendi i vetëm që Turqia ka kërkuar ekstradimin e ‘gylenistave’, pasi një gjë të tillë e ka kërkuar edhe nga Mozambiku, Kazakistani dhe Rumania, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Belgjika, Maroku, Afrika Jugore, Holanda, Kirgizia, Republika Turke e Qipros Veriore, Polonia, Gjermania, SHBA e të tjera vende. /Lajmi.net/