Rajon & Botë

Tunizi, zgjatet edhe katër muaj gjendja e jashtëzakonshme

Gjendja e jashtëzakonshme në fuqi në Tunizi prej një viti e gjysmë pas një seri sulmesh të përgjakshme xhihadiste, u zgjat edhe katër muaj, njoftoi sot presidenca.

“Pas konsultimit me kreun e qeverisë dhe presidentin e Asamblesë së Përfaqësuesve të Popullit, presidenti i Republikës, Beji Caid Essebsi vendosi sot për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe katër muaj të tjera duke nisur nga 15 qershori”, njoftoi presidenca në një deklaratë në Facebook.

Gjendja e jashtëzakonshme i akordon kompetenca të posaçme forcave të rendit. Mundëson ndalimin e organizimit të grevave dhe takimeve që mund të nxisin destabilitet, apo më tej miratimin e masave për të siguruar kontrollin e medias.

Kjo masë është në fuqi prej një sulmi kundër Gardës presidenciale më 24 nëntor 2015 në Tunizi. Dymbëdhjetë agjentë u vranë në këtë sulm të pretenduar nga grupi ekstremist i Shtetit Islamik.