Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se ka propozuar që ambasadorja e SHBA-së në Kanada, Kelly Craft, të zgjedhet në pozitën e të dërguarës së këtij shteti në Kombet e Bashkuara.
Craft është njëra nga dhurueset më të mëdha të mjeteve financiare për Partinë Republikane, ndërsa fillimisht u propozua për këtë pozitë nga senatori Mitch McConnell. Pavarësisht propozimit të presidentit, vendimin përfundimtar për zgjedhjen e saj në këtë pozitë do ta marrë Senati.
“Kelly ka bërë punë të jashtëzakonshme për ta përfaqësuar kombin tonë dhe nuk kam dyshim që vendi ynë do të përfaqësohet në nivelin më të lartë nën udhëheqjen e saj”, ka thënë presidenti Trump përmes një postimi në rrjetet sociale.
Fjalë të mira për këtë figurë ka thënë edhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. “Ajo është shumë e përgatitur dhe avokate e shkëlqyeshme e interesave ekonomike dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara në Kanada”, ka thënë ai.
Nëse zgjedhet në këtë pozitë, Craft do të sfidohet me detyrën e vështirë për ta mbrojtur politikën e jashtme të presidentit, të njohur me moton “Amerika në rend të parë”, dhe për ta fituar përkrahjen e diplomatëve të huaj në këtë organizatë të nivelit botëror, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.