Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka telefonuar të dielën udhëheqësit e vendeve të Gjirit për të adresuar shqetësimet e tij rreth mosmarrëveshjes në vazhdim midis Katarit dhe fqinjëve të tij, njoftohet nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump ka biseduar veçmas me mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud, princin e kurorës të Abu Dabit, Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Siç thuhet në njoftim, gjatë bisedave telefonike Trump ka kërkuar unitet dhe ka riafirmuar rëndësinë e ndalimit të financimit të terrorizmit dhe diskreditimit të ideologjisë ekstremiste.
Presidenti Trump gjithashtu ka nënvizuar se uniteti në rajon është kyç për arritjen e qëllimeve të Samitit të Rijadit për të mposhtur terrorizmin dhe për të promovuar stabilitetin rajonal.
Ndryshe, në Samitin Islamik Arab të mbajtur më 21-22 maj në kryeqytetin e Arabisë Saudite – i pari i këtij lloji – mori pjesë edhe Donald Trump, së bashku me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e 55 vendeve islamike.
Kriza diplomatike në Gjirin Persik shpërtheu më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Jemeni ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon dhe për mbështetjen e grupeve terroriste.