SHBA-ja është gati të përdorë kapacitetin e saj bërthamor në rast se Koreja e Veriut vazhdon t’i kërcënojë ose të kërcënojë aleatët e saj, deklaroi dje Shtëpia e Bardhë.
“Pas testit të ri bërthamor të zhvilluar nga Koreja e Veriut, presidenti Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin japonez, Shinzo Abe”, njoftoi Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.
“Presidenti Trump ritheksoi angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur atdheun tonë, territorin tonë dhe aleatët tanë duke përdorur të gjithë kapacitetin, diplomatik, ushtarak dhe bërthamor që kemi në dispozicion”, theksohet në komunikatë.
Koreja e Veriut zhvilloi dje në mëngjes testin e saj të gjashtë bërthamor, ndërkohë që ekspertët koreanojugorë vlerësojnë se kjo bombë kishte një fuqi prej 50 kilotonë, ose tre herë më e fuqishme se sa bomba atomike që amerikanët lëshuan në Hiroshima.