Rajon & Botë

Trump prezanton planin e tij ekonomik, e quan Clintonin ‘kandidate të së kaluarës’ (Video)

Kandidati republikan për president, Donald Trump paraqiti sot planin e tij ekonomik, duke thënë se do që ta “rigjallërojë” ekonominë amerikane me shkurtime të reja taksash, zbutje të rregullave qeveritare dhe përpjekje për të përmirësuar gjendjen e punonjësve të klasës së mesme.

Trump e quajti kundërshtaren e tij demokrate, ish-sekretaren e Shtetit Hillary Clinton “kandidate të së kaluarës” që donte ngritje taksash, më shumë kufizime për bizneset dhe kontroll më të fortë për zhvillimin e energjisë.

Ai foli në Detroit, qyteti i shtetit të Miçiganit, që është qendra e prodhimit të automjeteve. Kandidati republikan u ndërpre disa here nga protestuesit, që u nxorrrën jashtë.

Trump u përshëndet me brohoritje nga drejtuesit e bizneseve, kur bëri thirrje që të të shkurtohet taksa e korporatave që është e treta më e larta në botë.

Ai kritikoi marrëveshjet amerikane të tregëtisë, përfshirë projekt-paktin për Partneritetin Trans-Paqësor, duke thënë se Clinton do ta mbështesë atë, megjithëse ajo ka shprehur kundërshtimin për të.

Trump e akuzoi Clintonin se ka “vetëm fjalë dhe jo vepra” kur premtoi të hapë 200 mijë vende pune në shtetin e Nju Jorkut, kur ishte senatore para një dekade.

Kandidati republikan e mbajti fjalimin pas një jave deklaratash që ngjallën polemika dhe anketave që tregojnë se mbështetja për të ka rënë në garën për Shtëpinë e Bardhë. Clinton do të paraqesë planin e saj për ekonominë po në Detroit të enjten./voa/


Trump by GazetaExpress