Rajon & Botë

Trump pranon nominimin për president të ShBA-ve

Republikani Donald Trump, e ka pranuar nominimin për president të Shteteve të Bashkuara në Konventën e Partisë Republikane.

Trump ka thënë se ShBA-ja do të jetë vend i rendit dhe ligjit.“Së bashku ne do ta çojmë partinë tonë prapa në Shtëpinë e Bardhë dhe ne do ta çojmë vendin tonë prapa në siguri, prosperitet dhe paqe. Ne do të jemi vend i bujarisë dhe ngrohtësisë. Por ne, po ashtu, do të jemi vend i ligjit dhe rendit”, tha Donald Trump.

Trump ka thënë se terrorizimi vazhdon të jetë një kërcënim për jetën e njerëzve.

“Secili politikan që nuk e kupton këtë rrezik nuk është i aftë për ta udhëhequr vendin tonë”, tha Trump.

Këto deklarata republikani Donald Trump i ka bërë mbrëmë vonë në Klivlend të Ohajos, duke e pranuar nominimin./KosovaPress/