Marrëdhënia prej kundërshtarësh mes shtypit dhe presidentit, është “e vjetër sa vetë republika”, shkruante Jon Finer në The Atlantic. Por sulmet konstante të presidentit ndaj “shtypit si institucion”, që u përshkallëzuan fort javën që kaloi, janë një gjë “e re dhe ndoshta e rrezikshme” për demokracinë tonë.
Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi shfryu ndaj gazetarëve si shitës “të pandershëm” të “lajmeve të rreme” dhe tha se shtypi është “jashtë kontrolli”. Ndoshta më i frikshëm ishte një shënim në Twitter, ku presidenti e quante median si “armike të popullit amerikan!”.
Kjo frazë ka një histori të shëmtuar, shkruante Will Bunch në Philadelphia Daily News. Hitleri, Mao, dhe Lenini, të gjithë e përdornin “armiq të popullit” për të diskredituar dhe nxitur dhunë kundër kujtdo që guxonte të vinte në dyshim autoritetin e tyre. Si e tha senatori republikan John McCain këtë javë, “diktatorët e fillojnë” duke sulmuar legjitimitetin e shtypit të lirë.
Të mos e teprojmë me reagimin tonë, shkruante Jack Shafer në politico.com. “Nuk ka traditë më të qëndrueshme në Amerikë, se sa presidentët që delegjitimojnë shtypin”. FDR një herë i dha një gazetari një kapelë për studentët gdhë dhe i tha të ulej në qoshe. Presidenti John Adams firmosi ligjet e të huajve dhe rebelimit, që e shndërronin në shkelje penale kritikën ndaj qeverisë së tij. Presidenti Trump thjeshtë po njofton shtypin, shkruante Michael Goodwin në NYPost. Ai po u thërret gazetarëve që “përpiqen të shkatërrojnë presidencën e tij” dhe po u bën të qartë se, nëse “gazetarët sillen si kundërshtarë, ai do i trajtojë si kundërshtarë, duke kundërgoditur edhe më fort se sa ata”.
Më vjen keq, por sulmi i Trumpit mbi shtypin është i paprecedentë dhe ogurzi, shkruante James Fallows në The Atlantic. Edhe të tjerë presidentë janë ankuar për mënyrën si janë mbuluar nga media; Trumpi praktikisht po pretendon se media nuk ka të drejtë që t’i bëjë pyetje, të cilave do të preferonte të mos u përgjigjej, apo të shkruajnë artikuj që ai i konsideron negativë dhe të padrejtë. Në mënyrën e tij bardhë e zi, ai në fakt mendon se e gjithë media duhet të shndërrohet në një organ propagande, si Fox News, që Trumpi e quan “shumë të ndershme”.