Kandidati republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump gjatë fushatës që po zhvillonte në Nevada, të shtunën është evakuuar nga foltorja, pas një alarmi të rremë që dikush në audiencë ka një armë.
Kandidati 70-vjeçar republikan u shfaq disa minuta më vonë, kur përfundoi kontrolli dhe tek personi i cili dyshohej, nuk u gjet asnjë armë.
“Askush nuk tha se do të jetë e lehtë për ne. Unë dua të falënderoj shërbimin sekret”, tha Trump, pasi u rikthye në foltore, transmeton KosovaPress. Kandidati presidencial vazhdimin e fjalës e përfundoi me besimin e zakonshme për fitore, duke u duartrokitur prej turmës para se të kthehej i siguruar në aeroplan. Pamjet televizive treguan se anëtarët e shërbimit të sigurisë e arrestuan një të dyshuar. Policia ka njoftuar se pas kontrollit, tek i dyshuari nuk është gjetur asnjë armë./KosovaPress/