Donald Trump ka marrë kritika pasi ka kërkuar përgjithësimin e një teknike policore të kontrollit të papritur, që u hodh poshtë nga drejtësia duke e cilësuar si diskriminuese ndaj zezakëve.
Kjo teknikë, e njohur nën emrin e “stop and frisk” (ndalim dhe kontrollim), autorizon policinë të kontrollojë një individ në rrugë pa qenë e nevojshme që ai të ketë bërë ndonjë shkelje.
Në përgjithësi në SHBA, policia duhet të ketë një dyshim për shkelje për të marrë në pyetje një individ.
“Një nga gjërat që do të bëj, është të rikthej kontrollet e papritura. Mendoj se është e nevojshme. E kemi bërë këtë në Nju Jork dhe ka funksionuar shumë mirë. Duhet të jemi proaktiv”, ka thënë Trump në një intevistë për kanalin televiziv “Fox News”, transmeton atsh.
Por, pas kritikave të shumta, Trump ka thënë se nuk fliste për një përgjithësim kombëtar, por vetëm për qytetin e Çikagos, të prekur nga një valë e gjerë dhune me armë zjarri.
“Flisja për Çikagon. Kur kemi 3 000 persona të prekur nga plumba dhe po kaq të vdekur, është më keq se në Afganistan apo vendet në luftë”, ka thënë kandidati republikan.
“Çikago ka nevojë për kontrolle të papritura. Njerëzit mund të më kritikojnë nëse kanë dëshirë dhe të thonë atë që duan, por kontrollet e papritura bashkë me një rend publik të mirë duhen… duhet bërë diçka, nuk mund të vazhdohet më kështur”, ka theksuar Trump.