Rajon & Botë

Trump i viziton zonat e djegura në Kaliforni

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka arritur në Kaliforni për ta parë nga afër dëmin e shkaktuar nga zjarret më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në histori të Kalifornisë. Këto zjarre shkaktuan vdekjen e të paktën 76 personave dhe aktualisht llogariten rreth 1200 të zhdukur, ndonëse zyrtarët thonë se kjo shifër mund të rritet.
Duke folur për tragjedinë, presidenti tha se është pikëlluese ta shohësh këtë gjendje dhe se beson që menaxhimi i dobët i pyjeve është shkaktar i këtyre zjarreve. “Ne duket ta menaxhojmë mirëmbajtjen dhe do të punojmë edhe me grupet për mbrojtjen e mjedisit. Mendoj se çdokush e ka parë zgjidhjen. Nuk mendoj se do ta përsojmë të njëjtën gjë sërish në këto përmasa”, tha ai.

Zjarrfikësit janë ende duke luftuar me disa vatra zjarri, përfshirë një vatër zjarri afër qytetit Los Angeles, e cila i ka shkaktuar tri vdekje. Situata është duke u rënduar për shkak të rritjes së numrit të të sëmurëve dhe përkeqësimit të cilësisë së ajrit, që aktualisht vlerësohet si më i ndoturi në botë. Është parashikuar që reshjet e shiut të fillojnë javën e ardhshme dhe kjo mund ta ndihmojë luftën kundër vatrave të zjarrit, por edhe mund të sjellë vërshime në zona të caktuara.

Presidenti i çmoi përpjekjet e autoriteteve lokale, politikanët dhe ekipet e kërkimit për të mbijetuarit e mundshëm. “Kjo është shumë pikëlluese. Sa i përket jetës së njerëzve, ende nuk jemi të sigurtë për gjithçka. Për momentin synojmë që të kujdesemi për njerëzit që janë lënduar rëndë nga këto zjarre”, deklaroi ai.

Pavarësisht kësaj katastrofe, presidenti Trump tha se nuk e ka ndryshuar bindjen dhe qëndrimin e tij për ndryshimet klimatike, ndonëse autoritetet thanë se njëra nga shkaqet e zjarreve është edhe mungesa e reshjeve. “Unë dua që ta kemi një klimë të mrekullueshme dhe do ta kemi atë dhe do të kemi pyje që janë shumë të sigurta”, tha ai. Ekipet e forenzikës po ndihmohen edhe nga trupat ushtarake, përderisa kërkimet për trupa tjerë po vazhdojnë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.