Rajon & Botë

Trump e telefonon Putinin pas sulmit terrorist

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, ku i ka ofruar “mbështetjen e plotë” të SHBA-së, pas shpërthimit vdekjeprurës në metronë në Shën Petersburg, ku u vranë 11 persona dhe u plagosën 51 të tjerë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të hënën në mbrëmje se Trump i ka premtuar Putinit “mbështetje të plotë të qeverisë amerikane, në përgjigje për sulmin, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.

“Trump dhe presidenti Putin janë pajtuar se terrorizmi duhet të mposhtet shpejt dhe me vendosmëri të plotë”, ka thënë në një deklaratë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov ka thënë se Trump “ka shprehur ngushëllime” për familjarët e të prekurve nga ky shpërthim.

Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por mediat ruse janë duke raportuar se autoritet po dyshojnë se ky ishte sulm terrorist.

Detajet nga hetimet që po zhvillohen ende nuk janë të qartë dhe teori të ndryshme, lidhur me shpërthimin e së hënës janë duke qarkulluar në media.

Agjencia Interfax ka raportuar se policia dyshon se shpërthimi është ktyer nga një 23-vjeçar, që besohet se ka qenë “sulmues vetëvrasës”.

Po ashtu kjo agjenci, citon një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë, që ka thënë se i dyshuari besohet se ka bartur mjetin shpërthyes në një çantë.

Ndërkaq, agjencia TASS ka raportuar se njëri nga dy të dyshuarit për këtë shpërthim, është një burrë nga Azia Qendore që ka lidhje me grupet radikale islamike.