Rajon & Botë

Trump dëshiron kthimin në Hënë

Derisa ish-administrata e presidentit Barack Obama i kishte ikur, Hëna për presidentin e ri është bërë një destinacion mjaft i dëshiruar dhe ai inkurajon iniciativën e sektorit privat në të cilin sheh potencial premtues.

Ndonëse, Donald Trump shumë pak ka folur për këtë publikisht, bashkëpunëtorët e tij dhe ish-punonjës të NASA-s të cilët e këshillojnë, flasin se ekziston interes për kthim në Hënë në kuadër të partneritetit me sektorin privat, transmeton KosovaPress.

Miliarderi Elon Musk (Space X) dhe Jeff Bezos (Amazon) janë takuar disa herë me këshilltarët e Trump pas zgjedhjeve. “Sigurisht se ekziston interes i ri për Hënën në administratën e Trump”, ka thënë John Logsdon, ish-drejtor i Institutit për politika të kozmosit në Uashington. Disa nga këshilltarët e presidentit të ri kanë punuar në programin Constellation të ish-presidentit George W. Bush, i cili ka paraparë kthimin në Hënë si etapën e parë para misionit në Mars.

Megjithatë, Barack Obama, duke vlerësuar Constellation si tepër të shtrenjtë, hoqi dorë nga ky mision, me arsyetimin se SHBA-të kanë qenë tashmë në Hënë dhe se më tepër duhet koncentruar në planetin Mars.

Disa nga njerëzit e përfshirë në këtë mision ende janë të zemëruar, pasi vlerësojnë se vendimi për heqje dorë ishte i gabuar.

Të tjerët shpresojnë në projektin ambicioz të Trump, i cili do të përfshinte edhe partneritetin publiko-privat.

“Administrata e Trump dëshiron të bëjë diçka spektakulare dhe të guximshme, dhe Hëna është një ide e sigurt”, ka thënë Eric Stallmer, kryetar i Federatës për fluturime komerciale në gjithësi.