Presidenti amerikan, Donald Trump, përsëri e ka sulmuar gjykatësin i cili ia bllokoi ndalesën ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, duke thënë se amerikanët duhet t’i fajësojnë gjykatat nëse ndodh diçka.
Trump shkroi në Tëitter: “E kam udhëzuar Homeland Security që t’i kontrollojë njerëzit që futen në vendin tonë me SHUMË KUJDES. Gjykatat po e bëjnë punën shumë më të vështirë,” transmeton Express.
“Nëse diçka ndodh, fajësoni atë dhe sistemin e gjykatave. Njerëzit po e vërshojnë vendin. Keq!” shkroi ai.
Ndalesa e Trumpit, e cila i prek njerëzit nga shtatë vende me shumicë myslimane, u bllokua të premten nga gjykatësi federal në Seattle.
Ndërkohë, të shtunën pasuese, Gjykata Federale e Apelit e hodhi poshtë kërkesën e Administratës së Trumpit për të rivendosur ndalesën.
Kjo do të thotë se ndalesa e Trumpit do të mbetet e suspenduar dhe bartësit e vizave nga Iraku, Siria, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni do të lejohen të futen në SHBA deri sa rasti i plotë të zgjidhet nga gjykata./Gazeta Express/