Aktuale

Treni i Serbisë debat edhe në Kuvend, opozita kritikon qeveritarët

Çështja e ndaljes së trenit dhe muri në veri, ishin tema kryesore me të cilat filloi dhe seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë po orkestrojnë spektakle.  Sipas tij problemi në veri nuk është një mur apo ndalja e një treni, pasi që situata në veri rregullohet vetëm atëherë kur të shuhen strukturat e Serbisë atje dhe të zbatohet ligjshmëria dhe jo me aventura krekosëse dhe ad- hoc, që po shihen ditëve të fundit në Kosovë.

 

“Për murin pati shumë garë se kush është fajtori dhe faji hidhet sa andej e sa këndej mes figurave politike dhe institucioneve të Kosovës. Kurse për trenin pati një konkurrencë shumë të fortë për krekosje dhe se kush do ti merr meritat. Nëse asgjë tjetër zmbrapsja e trenit i ka hedhur poshtë dy qëndrime të vazhdueshme të qeverive të pas luftës në Kosovë. E këto janë se së pari nuk kemi kapacitete për të vendosur sundim të ligjit dhe rendit në veri të Kosovës. Dhe së dyti se nëse përpiqeni t’i qojmë forcat e sigurisë në veri të Kosovës atëherë, do të na dal kundër bashkësia ndërkombëtare. Këto i kam  dëgju në secilin debat, me secilin zyrtarë politik. Vazhdimisht kur VV ka thënë s enë veri duhet rend dhe ligj dhe duhet të dërgohen forcat e sigurisë rregullisht zyrtarët qeveritarë kanë thënë se nuk na lë bashkësia ndërkombëtare dhe se është rrezik me pas gjakderdhje. Treni tregoi se mungesa e sun dimit të ligjit dhe rendit në veri nuk paska qenë mungesë e gatishmërisë, guximit apo profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë. E as nuk paska qenë pengesë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Mungesa jonë atje dhe prania e plotë e Serbisë në veri po del se paska qenë më së shumti mungesë e vullnetit dhe strategjisë nga ana e udhëheqësve të Kosovës….Qeveria jonë me Serbinë po orkestron dhe po koordinon spektakle. Si është e mundur që muri të mos ndalet dhe treni që u nis nga Beogradi të ndalet”, tha Konjufca.

Edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj tha se  duhet  të ndërpritet ky lloj dialogu me Serbinë, derisa  Serbia nuk tërhiqet nga kërkesat e saj që përmes fletarresteve  të Interpolit t’i ndjek çlirimtarët tanë nëpër botë, e përmes mureve dhe trenave tenton që të rikthehet në Kosovë.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të rikthehet  në  tavolinën  e bisedimeve, e cila është një tavolinë e nënshtrimi për Kosovën

 

“Situata në Kosovë e Ballkan nuk është e qetë, kushdo që e thotë ndryshe ose është i verbuar ose dëshiron të mos jetë i sinqertë me qytetarët. Brenda vetëm pak ditëve kemi kaq shumë sulme të Serbisë në drejtim të Kosovës dhe tendencë për të cenuar sovranitetin e saj. Këto sulme janë të orkestruara mirë nga Serbia dhe kjo po kuptohet pa pasur nevojë për shumë ekspertizë. Ajo që ngrit me të drejtë dilema është nëse institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar që të ia prishin këto orkestrime apo po tregohen të urta e vetëm sa po i ndihmojmë me pa vetëdije në realizimin sa më të mirë të këtyre sulmeve ndaj Kosovës. Qeveria e Kosovës po thonë se e ndalen një tren pa leje e  me mesazhe tërësisht nacionaliste e luftë nxitëse, që tentojnë të hyjnë në territorin e Kosovës. Dhe pse me një luftë deklaratash se kush e bëri i pari e kush i dytë, mirë keni bërë. Por nuk e keni bërë namin. Sepse vetëm sa i keni zbatuar ingerencat që ua jep kushtetuta e Kosovës, në të cilën jo rrallë herë po e anashkaloni kur është në pyetje Serbia dhe argatët e saj, që vijnë e shkojnë nga Kosova, si me qenë në livadhet e të etërve të tyre. Siç vepruat me trenin, pse s’po veproni njëjtë edhe me murin, poqë se dëshironi të jepni mesazhin që Kosova ka zot shtëpie gjë që deri më tani nuk e keni bërë“, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka deklaruar se sipas Rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës, muri duhet të rrënohet më së largu më 1 shkurt dhe jo siç po thonë më 17 shkurt. Ajo në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se treni nuk është provokim i parë nga Serbia, pasi ndodhi muri dhe arrestimi i Haradinajt.

 

“ Është ultimatum që deri në fund të këtij muaji ai mur të rrënohet. E jo siç po deklarohet këtu ose  me një shkurt ose ditën e pavarësisë. Prandaj duhet t’i respektojmë të gjitha dokumentet të cilat I nxjerr ky Kuvend. Por ti kthehemi temës aktuale të përfolur këto ditë trenit.. Për të gjithë ju që vrapuat me marrë primatin se kush e dha urdhrin për ndalim, amani iu koft ndaluni se na keni lodh definitivisht. Sepse në rast se nuk e keni ditë janë institucionet dhe organet përgjegjëse të shtetit, që e kanë kryer vetëm një detyrë kushtetuese. Por këtë tren mbi të gjitha e ndali dhe presioni i qytetarëve. Ajo që nuk shkon dhe na keni irritu vazhdimisht është qasja e juaj që të personalizoni dhe obligimin kushtetues”, tha ajo.

E deputetja Flora Brovina si shqetësim ngriti gjuhen e përdorur nga deputetët në] Kuvend. Ajo tha se kjo gjuhë është një shembull i keq dhe se kjo duhet të ndryshojë. Ndërsa ka kërkuar konsensus në mes partive politike në vend. Në cilësinë e Ambasadores së Paqes, Brovina ka propozuar që të ndryshohet gjuha e përdorur në mes kundërshtarëve politik në vend, si dhe formimin e një grupi jo formal të deputetëve të cilët do të inicionin një debat të brendshëm politik.

 

“Gjuha parlamentare e Kuvendit të Kosovës, nuk i ngjanë gjuhës së të zgjedhurve të popullit. Është gjuhë fyese, jo  vetëm për ata që e thonë . është gjuhë jo e jona, jashtë traditës sonë. Madje kjo gjuhë po përdoren edhe nga gratë parlamentare. Me këtë gjuhë se ato lejuan koleget e tyre të iu drejtohen grave parlamentare, bijave nënave tona. Gruaja në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë përqindje është e arritur e jona e madhe. Kjo rrugë është trasuar me vështirësi sakrifica të gjeneratave dhe hap perspektive të re jo vetëm gruas por dhe shtetit tonë. Kjo gjuhë jo intelektuale po përcillet si model komunikimi dhe në familjet tona, në shkolla dhe vende të punës. Ne jemi shembull i keq. Andaj në cilësinë e ambasadores së paqes,  propozoj që ta ndryshojmë këtë gjuhë”, tha ajo. .

Në fillim të seancës deputeti Bekim Haxhiu ka reaguar pas deklaratave të deputetit Gëzim Kelmendi lidhur me figurën e Skënderbeut. Haxhiu tha se Kelmendi ka fyer rëndë dinjitetin e popullit të Kosovës./KP