Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës ishte dhe ka mbetur prioritet mbi prioritete për secilën qeverisje. Deklaratat e zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe vetë ministrin Rrustem Berisha, ishin se FSK-ja do të transferohej në ushtri në janarin e vitit 2018. Tashmë jemi në fund të muajit janar dhe ende Projektligji për Ushtri nuk është dorëzuar në Qeveri. Në një intervistë për Gazetën Express, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, thotë se përgatitjet për transformimin e FSK-së nga kjo Ministri kanë përfunduar, vetëm presin që Projektligji të procedohet në Qeveri.
Edhe pse ishte vetë ministri Berisha që premtonte se transformimi i FSK-së do të ndodhë në janar, një gjë të tillë nuk e thotë më. Për Express, Berisha përgjigjet duke thënë se Projektligji për Ushtrinë duhet të procedohet në Qeveri, në bazë të kalendarit legjislativ.
“Është me rëndësi të theksohet se nëntë vite pas ngritjes së FSK-së, institucioni është plotësisht operacional dhe i gatshëm të marrë mision dhe detyra të reja, në përputhje me rekomandimet e dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë së Kosovës, dhe kjo do të ndodhë sa më parë të arrihet konsensusi politik i të gjithë faktorit politik vendor, duke përfshirë gjithsesi edhe përfaqësuesit e komuniteteve në institucionet më të larta të vendit. Ne si Ministri, por edhe Qeveria ka kalendarin e vet legjislativ, dhe ne do t’i përmbahemi atij kalendari. Sipas këtij kalendari, ne duhet t’i dërgojmë projektligjet për procedim në Qeveri. Dhe, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe do t’i përmbahemi këtij kalendari. Se çka do të prodhojnë rrethanat politike në atë kohë do të shohim, por jemi në angazhim të vazhdueshëm që këto rrethana të jenë të favorshme dhe të përmbyllim procesin me sukses të plotë”, ka thënë ministri Rrustem Berisha për Gazetën Express.
I pyetur se nëse eventualisht është bërë ndonjë bisedë me zyrtarët e Listës Serbe, që të kenë përkrahjen e tyre për transformimin e FSK-së në FAK, Berisha thotë se shpresojnë që për këtë pikë do të ketë një konsensus politik.
“Me rëndësi është se FSK-ja i ka plotësuar kapacitetet e saj operacionale dhe tani pritet të ketë ndryshim të misionit. Përkushtimi ynë është që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese. Natyrisht që sfidë mbetet konsensusi politik, me komunitetin joshumicë, sidomos me Listën Serbe, për të votuar ndryshimet kushtetuese, ashtu që edhe ata të jenë pjesë e kësaj vendimmarrje të rëndësishme për vendin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nuk do të jetë kundër asnjë komuniteti, përkundrazi do të jetë në interes të gjithë qytetarëve të vendit, në të mirë të sigurisë së fqinjëve, rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ministri Rrustem Berisha për Gazetën Express.
ipas Berishës, shteti i Kosovës është i gatshëm të ketë ushtri.
“Institucionet e Kosovës kanë konsoliduar mekanizmat e qeverisjes dhe mbikëqyrjes demokratike të sektorit të sigurisë. Kjo bazuar në parimet më të avancuara demokratike të politikave dhe kontrollit civil mbi sektorin e sigurisë, në përgjithësi, dhe Forcat e Armatosura, në veçanti. Në bazë të këtyre parimeve kushtetuese dhe ligjore, Kosova ka ndërtuar ambient institucional demokratik, sidomos në mbikëqyrje parlamentare dhe publike, dhe si e tillë është plotësisht e gatshme që të bëhet me Forca të Armatosura. Në anën tjetër, FSK ka arritur kapacitetet e plota operacionale që nga viti 2013 sipas mandatit aktual kushtetues dhe ligjor, të deklaruara nga NATO-ja. Pas analizës së Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë dhe rekomandimeve të dala nga ky proces, FSK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme planifikuese dhe përgatitore. FSK-ja është e gatshme për transformim dhe pret vendimin politik për ndryshimet kushtetuese që të marrë përgjegjësi të reja në kuadër të misionit të ri”, ka thënë ministri Rrustem Berisha për Gazetën Express.
Ministri Berisha iniciativën për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale e ka arsyetuar dhe, gjithashtu, ka thënë se kjo nismë nuk ndikon në formimin e ushtrisë.
“E tërë kjo dramë siç e quani ju është pjesë e demokracisë, ku njerëzit shfrytëzojnë të drejtat e tyre për të marrë nisma ligjore dhe kjo e drejtë është edhe më e madhe kur merret nga vetë kuvendarët. E tërë kjo situatë nuk besoj se do të ketë ndikim negativ në procesin e transformimit të FSK-së në ushtri”, ka thënë ministri Rrustem Berisha për Gazetën Express.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, tha se krijimi i ushtrisë është institucioni i fundit dhe më i rëndësishmi që përmbyll procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës. E, sipas tij, një shtet i konsoliduar e ka shumë më të lehtë që të anëtarësohet në organizatat shtetërore ndërkombëtare.