Aktuale

Transformimi i Trepçës në interes të zhvillimit ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Trepça sipas këtij ligji do të organizohet si shoqëri aksionare, ku me 80 përqind do të jetë Qeveria e Kosovës dhe 20 përqind e aksioneve do të jenë punëtorët e Trepçës.

Mustafa gjatë prezantimit dhe arsyetimit të projektligjit për Trepçën tha se projektligji për Trepçën është një ligj i rëndësisë së veçantë për Kosovës.

“Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit dhe sakrificës me këtë projektligj synojmë të ardhmen e Trepçës e asessi kthimi në të kaluarën. Mbrohen interesat e punonjësve. Ligji përcakton qartë se resurset minerare, janë pronë e republikës së Kosovës. Me këtë ligj prona e Trepçës mbetet pronë e republikës së Kosovës. Trepça sipas këtij ligji do të organizohet si shoqëri aksionare, ku aksionare me 80 për qind do të jetë qeveria e Kosovës dhe 20 për qind e aksioneve do të jenë punëtorët e Trepçës. Trepça do të jetë një korporatë unike, me bilancë të konsoliduar por njësitë biznesore do të kenë pavarësinë e tyre. Projektligji siguron përkujdesje ligjore”, tha ai.

Sipas Mustafës, për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime me akterë të ndryshëm, punëtorët e Trepçës, ekspert të pavarur dhe njohës së kësaj fushe.

Ai shtoi se kanë marrë përvoja nga vendet tjera për raste të ngjashme.

“Transformimi i Trepçës sipas këtij ligji është në interes të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se ky ligj meriton përkrahjen e  të gjithë neve”, tha ai./KosovaPress/