Arsim & Kulturë

Transformimet dhe pasojat në shoqëri nga pandemia COVID-19

Pandemia Covid-19 ndryshoi pothuajse çdo aspekt të jetës dhe shoqërisë. Individi u përball me frikën e mbijetesës nga virusi i rrezikshëm. Disa shërbime dhe disa sektorë prodhues u bllokuan, të tjerët u transformuan për t’u përshtatur me mënyrën e re të menaxhimit në kohë pandemie. Arsimi tradicional u transformua dhe u fut online. Komunikimi në shoqëri në sajë të teknologjive u pa më i dobishëm se kurrë më parë.

Edhe frika nga vështirësitë ekonomike-sociale u shtua. Shumë vende të punës u shkurtuan, një pjesë e prodhimit u ndal, disa shërbime u pezulluan. Ekonomistët filluan të ngrisin shqetësimin se situata e krijuar nga pandemia do të ketë pasoja të mëdha me recesione të zgjatura. Por, në anën tjetër, biznesi elektronik mbeti sektori që nuk u godit nga pandemia globale. Përpos të hyrave të shtuara, ky sektor ka filluar të shihet si mjedisi me mundësitë më të mëdha në botë dhe si i vetmi i cili gjeneron punë dhe pagesa në çfarëdo situate krize në botë. Kjo krizë, përpos tjerash, tregoi se interneti është bërë i pazëvendësueshëm në transaksionet dhe punën online, ashtu si edhe programerët, platformat online etj.

Qeveritë dhe sistemet e tyre shëndetësore me qëllim që ta kufizonin dhe luftojnë pandeminë, janë përballur me sfida të vështira, si: (i) ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të parandaluar pandemitë dhe mospërsëritjen e saj, si dhe, (ii) zbatimin e menjëhershëm të mësimeve tashmë të mësuara në rast të shpërthimeve të reja në të ardhmen. Bota u mbyll, ndërsa individi karantinohej imponueshëm gjatë kthimit për në vendin e tij. Liria e lëvizjes dhe të drejtat e njeriut u kufizuan. U shpërfaqën strategji të ndryshme qeveritare në menaxhimin e krizës në botë, por edhe kultura të ndryshme në respektimin e masave qeveritare. Pati vende edhe që rrihnin shkelësit e kufizimit të lëvizjes.

Sistemi i drejtësisë u paralizua dhe shqyrtimet gjyqësore shkuan përtej procedurave të parapara. Administratat kaluan aq sa mundën online. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia riktheu diskursin e vlerave dhe interesave të ngushta kombëtare. Nuk munguan edhe shpërthime individuale nacionaliste të aktorëve politikë në Europë. Kosova u dëshmua shembull tipik ku politika më pak e kishte prioritet pandeminë dhe më shumë pushtetin.

Përkundër izolimit, frekuenca e komunikimit u shtua. Teknologjia dhe mediat dolën si zbutësit më të mëdhenj të izolimit fizik. U fuqizua edhe më shumë socializimi virtual. Individi i mbyllur u bë konsumator edhe më i madh i mediave, ku nuk mungoi edhe bombardimi me mesazhe e informacione të paverifikuara. Rëndësia e punës së mediave u rrit, por njëherësh disa media u goditën financiarisht edhe nga pasiviti i bizneseve të tjera.

Arsimi u kaloi thuajse plotësisht online. Shkollat, çerdhet e kopshtet si dhe të gjitha institucionet e tjera arsimore u mbyllën. E-learning, distance learnig nuk ishin më koncepte të përdorura vetëm nga disa institucione, por u futën në përdorim masiv. Pati edhe ceremoni diplomimi online. Sfida mbetet se si do të aplikohet në të ardhmen, por edhe cilat janë lëshimet e arritshmërisë dhe humbjet nga ky transformim i imponueshëm e i menjëhershëm.

Por, pandemia bëri që qeliza bazë e shoqërisë, familja, të jetë më e bashkuar se kurrë më parë. Përditshmëria e izoluar dhe frika nga virusi në të njejtën kohë bashkë me shqetësimin për sigurinë sociale, njëherësh shpërfaqi edhe rastet e rritjes së dhunës familjare në disa vende, por me efekte të izoluara edhe në shëndetin mendor.

Sportet dhe aktivitetet e tjera fizike për të forcuar sistemin imunitar të njeriut u transformuan dhe u mbyllën në kushte shtëpiake, ashtu si konsumi i vlerave kulturore e artistike të cilat u konsumuam të mediatizuara. Eksopzitat, koncertet, performanca muzikore, vizita e muzeve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore u transformuan online. U fuqizua turizmi kulturor online. Shijimi estetik dhe ngjallja e emocionave nga ky lloj konsumi, mbetet për t’u diskutuar.

Duke pasur parasysh arsyet e lartpërmendura, qëllimi kryesor i konferencës është që të bëjë bashkë studiues nga fusha dhe vende të ndryshme për të ofruar njohuri shkencore për transformimet dhe pasojat nga pandemia, përmes një trajtimi ndërdisiplinor dhe me qasje të hapur, inovative dhe të shpërndarë gjerësisht.

Prishtinë: 05.09.2020 – 06.09.2020