Fundjavën e kaluar Lëvizja Vetëvendosje mbajti mbledhjen e III-të zgjedhore e Këshillit të Përgjithshëm ku dhe zgjodhi strukturën e re udhëheqëse. Surprizat e kryesisë së re është se deputetët Faton Topalli, Shqipe Pantina, Besa Baftiu dhe Salih Saliu nuk janë pjesë e saj.
Ndërsa Kryetari i Komunës të Prishtinës Shpend Ahmeti qëndron vetëm anëtar i kësaj kryesie, nënkryetari i tij në komunë Dardan Sejdiu bëhet nënkryetar i parë i këtij subjekti. Gjithashtu shtetasit nga Shqipëria pavarësisht se janë dëbuar nga republika e Kosovës vazhdojnë të mbajnë detyra udhëheqëse brenda lëvizjes.
Më parë është spekuluar në media për një ndarje mes Vetëvendosjes dhe udhëheqësve të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu. Por, me zgjedhjen e Sejdiut nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, zërat tashmë duket se janë shuar.
Edhe pas këtyre zgjedhjeve të brëndshme ish kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti vazhdon të qëndrojë vetëm anëtar i kryesisë pavarësisht faktit që vazhdon të jetë një nga figurat më dominuese në votuesit e këtij subjekti. Ndërsa Dardan Molliqaj konfirmon përsëri pozicionin si sekretar organizativ, raporton Gazeta Express
Edhe ish deputetja e Aleancës për Ardhmërinë të Kosovës (AAK) Donika Bujupi-Kadaj dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Dukagjin Gorani që ju bashkuan Vetëvendosjes kohëve të fundit ngrihen më tepër duke u bërë pjesë e kryesisë.
Ndërsa për deputetët që ngelën jashtë kryesisë së re nuk ka ndonjë shpjegim në komunikatën e dërguar nga Vetëvendosje nëse ka qenë dëshira e tyre apo nuk mundën të siguronin votat për këtë pozicion.