Nën kornizën e një spektakli muzikor konceptuar si “Instrumental Accordion Show”, në Amfiteatrin e Parkut të madh të Liqenit, frekuentuesve të tij por dhe artdashësve iu ofrua mundësia e një mbrëmjeje ndryshe nën freskinë e tingujve muzikorë.
Një bashkëpunim i suksesshëm ky i shoqatës “Mega Art” dhe Bashkisë Tiranë, e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Artistë të njohur dhe të rinj performuan muzikë bashkëkohore, por dhe të traditës ballkanase, në një ndërthurje të gjetur mes natyrës dhe artit.
Ndër grupet pjesëmarrëse ishte “Summer Guitar Band”, e “Klemer Transit” i njohur për bagazhin vetiak muzikor por dhe për përpunimin e muzikës së njohur ballkanase. Veçantia e këtij evenimenti, përveç faktit që vinte për herë të parë në këtë formë, ishte dhe zgjedhja e instrumenteve muzikorë: violinë, violë, kitarë, fizarmonikë dhe bateri.
Duke vijuar nën moton e një sërë aktivitetesh pranë natyrës, mbrëmja e tingujve ballkanikë nisi me performancën e “Tirana Accordion Trio”, të cilët interpretuan një sërë hitesh të njohura dhe të sjella në një mënyrë ndryshe vetëm me anë të kitarës.
Më pas ishte radha e solistit Elton Balla, por dhe të kolazheve të ndryshme me pjesë tipike për fizarmonikë si samba, tarantela, vals, tango, mazurka etj. Gjatë gjithë sezonit të verës APR ka planifikuar dhe po organizon një sërë aktivitetesh që do të përfshijnë të gjitha grupmoshat, duke pasur në vëmendje promovimin e jetës së shëndetshme pranë parqeve dhe natyrës.