Organizata turke për Zhvillim dhe Rindërtim “TIKA” ka dhënë një donacion për të bërë renovimin e disa zyreve të Radio Kosovës.
Për këtë ndihmë të organizatës turke është shprehur i kënaqur drejtori i Radio Kosovës Azem Bujupi, sipas të cilit ky investim mundëson punëtorëve të radios për një ambient më të mirë të punës.
Ai me këtë rast falënderoi këtë organizatë e cila ndihmon Kosovën që nga paslufta e në veçanti ambasadoren Kivilcim Kilic e cila ishte prezent në ceremoninë e fillimit të punimeve për renovimin e zyrave të radios.
“Jemi të vetëdijshëm që mediumi publik përballet me një financim jo të qëndrueshëm dhe ky donacion i ardhur nga ‘TIKA’ është jashtëzakonsisht i dobishëm për të gjithë punonjësit e institucionit tonë. Në emër të të gjithë kolegëve kam një falënderim shumë të veçantë për ambasadoren dhe vizitat e saj të shpeshta në institucionin tonë dhe për këtë ndihmesë të cilën na ka ofruar “TIKA”, tha Bujupi.
Ndërsa ambasadorja tha se sot po përurojnë fillimin e punimeve në një sektor mjaft të rëndësishëm siç është mediumi publik.
Për këtë ajo falënderon organizatën “Tika” e cila siç tha ajo i bën krenarë me investimet që bën jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.
“Për të parë se sa e zhvilluar është një komunitet, një popull apo një shtet duhet të shohim nivelin e zhvillimit të arsimit dhe shëndetësisë, prandaj deri më tani kam theksuar rëndësinë e sektorit të shëndetësisë dhe arsimit dhe sot jemi duke përuruar fillimin e punimeve në një sektor mjaft të rëndësishëm dhe besoj që me mbarimin e këtij projekti edhe RTK si radio do ta bëjë punën më së miri dhe do ta kryej me sukses punën e saj” , tha ambasadorja turke në Prishtinë.
Kilic tha se institucionet turke kanë dëshirë që ta shohin një Kosovë të zhvilluar që jeton me prosperitet për të gjitha komunitetet e saj dhe për të gjithë popullin e saj./KP