Aktuale

Themelohet komisioni për matjen e kufirit Kosovë-Mali i Zi

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të themelojë komisionin për matjen kufirit me Malin e Zi me qëllim të vërtetimit nëse Kosova ka humbur ose jo territor nga ratifikimi i vijës kufitare me këtë shtet fqinj.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që komisioni të përbëhet nga disa institucione dhe organizata të ndryshme të vendit ndërsa do të mbikëqyret nga institucione e përfaqësues ndërkombëtarë si EULEX, KFOR, BE, Ambasada Amerikane etj.

Zëvendësministri Hajredin Kuçi tha se territori i Kosovës do të matet para dhe pasi që është caktuar  vija kufitare me Malin e Zi në mënyrë që të shihet a ka ndonjë ndryshim.

 

“Të themelojmë një komision të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës i cili ka për detyrë që të bëjë matjen e territorit të Republikës së Kosovës  para datës 25 gusht të vitit 2015 dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi. Në kuadër të këtij komisioni janë paraparë disa përfaqësues qoftë institucional apo edhe të tjerë përfshirë në veçanti ASHAK-un, Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore, nga partnerët nga opozita LVV, AAK, NISMA, dy ekspertë nga shoqëria civile, nga Agjencioni i Kadastrit të Kosovës, nga Agjencioni i ujërave, pyjeve, i KOST-it, privatizimit, PK, Statistikat e Kosovës, Komuna e Pejës, dy përfaqësues  nga zona e Rugovës, nga komuna e Istogut, Deçanit dhe Junikut. Po ashtu është paraparë që punën e komisionit ta vëzhgojnë edhe përfaqësues të BE-së, ambasadës Amerikane, KFOR-it dhe EULEX-it”, tha ai.

Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar edhe vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme të  cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Ushtruesi i detyrës së minsitrit të Mjedisit, Ferat Shala tha se ky vendim është nxjerrë pas kërkesës nga IBM-i me datë 31 gusht të këtij viti.

“Departamenti i shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor më datë 31 .8 2016 në mënyrë zyrtare dhe përmes shkresës së protokollit ka pranuar nga MPB kërkesën për inicimin e procedurave të shpronësimit për pronat të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM  mes republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë. Pikat kufitare Bërnjak, zona katastrale Banjë, komuna Zubin Potok, pika kufitare Mendare, zona katastrale Merdarë komuna Podujevë, pika kufitare Mutivodë, zona katastrale Dabishevc komuna Prishtinë. Departamenti i shpronësimit pasi e ka konstatuar përmbushjen e dispozitave ligjor nga neni 4.8 dhe 45 i Ligjit për Shpronësim të Pronës së paluajtshme kërkon nga qeveria e Kosovës që të nxjerr vendim ekzekutiv me ët cilin miratohet vendimi për shqyrtimin e kërkesës për shpronësim tà « interesit publik të pronarëve të paluajtshëm dhe zotëruesve të interesit të cilët preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IMB mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë ai.

Me këtë rast, udhëheqësja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, tha se ky proces është duke u zhvilluar me efikasitet nga MMPH dhe MPB dhe ka njoftuar se ndërtimi do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm.

 

“Vetëm desha të them që ky proces që po zhvillohet me një efikasitet edhe nga MMPH si dhe MPB po ndihmon në përshpejtimin e nisjes së ndërtimit të këtyre ndërtesave të përhershme në tri pikë kalimet kufitare ku Kosova është nikoqire në kuadër të marrëveshjes së IBM-së dhe mund të ju njoftoj se sipas planit në janar fillojnë ndërtimet dhe kjo ka qenë e mundur vetëm falë përgatitjeve, përshpejtimeve dhe angazhimeve të plota të këtyre dy ministrive deh qeverisë në përgjithësi”, tha Tahiri.

Qeveria e miratoi po ashtu planin e veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend i cili sipas ministrit  Ferat Shala përmban disa pika kryesore me të cilat synohet përmirësimi i kësaj gjendjeje.

 

“Të rishikohet vendimi i qeverisë së Kosovës për importin e vetura e të vjetra, të zbatohet Udhëzimi adminsitrativ për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes, të rritet kontrolli i cilësisë së derivateve që importohen dhe shiten në Kosovë sipas ligjit numër 2004.5 për tregtinë e naftës dhe derivateve të naftës në Kosovës ligji 03L numër 138 për ndryshim plotësimin e ligjit nr. 2004/5 për tregtinë e naftës e kështu me radhë dhe janë dhënë dhjetëra rekomandime dhe sugjerime tjera, hapa operaconal se si duhet të përmirësohet. Pa dashur që t’i lexoj të gjitha kemi kërkuar që të subvencionohet transporti publik në qendrat kryesore të Kosovës e në veçanti në rastet ku çështja e ndotjes është me ë e theksuar, të rritet inspektimi i lëndëve djegëse në ekonominë familjare dhe në biznese të vogla etj”, tha Shala.

Në qeveri është bërë  prezantimi i punës për fillimin e zbatimit të ligjit për sigurimet shëndetësore ku u tha se janë kryer dhe janë në proces shumë dokumente të cilat e realizojnë një gjë të tillë.

Imet Rrahmani tha se grumbullimi i mjeteve nga qytetarët nuk do të mund të filloj nga 1 janari 2017 por një gjë e tillë u shty me vendim të Qeverisë që të realizohet më së largu deri më 1 korrik të po këtij viti./KP