Në kuadër të aktiviteteve jashtëmësimore “The British School of Kosova” organizoi Panairin Shkencor “Science Fair 2018”, në të cilin nxënësit e klasave të gjashta deri në klasën e dymbëdhjetë, nën mbikëqyrjen e arsimtarëve të lëndëve përkatëse, kanë bërë hulumtime brenda fushave të lëndëve shkencore, të cilat i prezantuan në këtë panair.
Organizatorja e Panairin Shkencor “Science Fair 2018”, Arjeta Camaj-Ibrahimi tregoi për mundësinë që ju jepet nxënësve që ta mësojnë në shkollë metodologjinë e hulumtimit shkencor dhe gjithashtu ta zhvillojnë atë në praktikë.
“Nxënësit të cilët kanë punuar vitet paraprake për panairin shkencor kanë qenë të gatshëm sivjet duke e dikur të gjithë metodën hulumtuese si shkon, kurse nxënësit e rinj e kanë mësuar metodologjinë shkencore, kanë mësuar si paraqitet dhe si prezantohet një punim shkencor”, tha Arjeta.
Ndërsa, mësimdhënësi Ibrahim Hameli, i cili foli më shumë rreth organizimit të këtij panairi, tha se Secili mësimdhënësi i zgjedh temat në bashkëpunim me nxënësit, por që vazhdon ai, nxënësit janë të lirë të vendosin vetë për të marrë pjese në këto projekte.
“Fillimisht jepet mundësia që nxënësit të propozojnë projektet e tyre që mendojnë se ia vlen të prezantohen në panair, pastaj ata mund edhe të bashkëpunojnë me mësimdhënësit për ato projekte pasi që të përzgjedhen”.
Ai gjithashtu njoftoi se kanë pasur tre muaj kohë për organizimin e këtij panairi, duke përfshirë edhe përzgjedhjen dhe përfundimin e hulumtimeve që janë bërë nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Nxënësit e “The British School of Kosova” ishin shumë të lumtur për suksesin e tyre në këtë panair dhe nuk hezitonin të flisnin rreth punimeve të tyre.
Nxënësja Debora Ibrahimi tregoi për temën që ajo ka zgjedhur që ta bëjë prezantimin dhe arsyet përse ka vendosur ta bëjë atë punim.
“E kemi pasur temën për pijet që i dëmtojnë dhëmbët. Me ndihmën e mësimdhënësve, për një javë e kemi përfunduar këtë hulumtim. Eksperimenti është bërë me ve pasi e kanë materien e njëjtë me dhëmbët. Si përfundim kemi ardh se pijet e gazuara dhe kafeja i kanë dëmtuar dhëmbët më shumë”, tha ajo.
Ky është viti i tretë që shkolla e mesme dhe fillore shkolla “The British School of Kosova” po organizon panair shkencor. Organizatorët e “Science Fair 2018” thanë se ky panair shkencor do të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Gazeta KNN