Arsim & Kulturë

Thaçit i ndahet titulli ‘Doctor Honoris Causa’ nga Universiteti i Tetovës

Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sot Universiteti Shtetëror i Tetovës i ka ndarë titullin ‘Doctor Honoris Causa’.

Në akademinë solemne, presidenti Thaçi ka thënë se Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë – Tiranë – Tetovë.

Ai ka thënë se lidhja e Prishtinës me Tetovën, Shkupin, Prizrenin, Kërçovën, Gjakovën, Dibrën dhe me qendra tjera urbane ku jetojnë shqiptarët është një lidhje historike, kulturore, arsimore, familjare e kombëtare dhe mbi gjitha vëllazërore, thuhet në njoftimin nga presidenca.

“Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës. I lidhë historia, e sotmja dhe e ardhmja. Liria e njërës është produkt i tjetrës dhe e kundërta. Liria jonë është produkt i yni i përbashkët”, ka thënë Thaçi.

“Ndërtimi i autostradës Arben Xhaferi është infrastrukturë e ofrimit të qendrave tona”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se në Tetovë ka shkuar tash e sa decenie në kapacitete e kohëra të ndryshme dhe se kujtimet e tij për këtë hapësirë janë të llojllojshme.

Në akademinë e ndarjes së titullit ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit.

Ai ka thënë se synimet e përbashkëta, si të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë, përputhen me aspiratën reale për të qenë së bashku pjesë e familjes euroatlantike.

Titullin ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka thënë se e ndjen si çmim për gjeneratën e tij, për gjithë ata studentë nga Kosova e Tetova, që së bashku sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe emancipimin e shqiptarëve kudo ku ata gjenden.

Pjesëmarrës në këtë akademi solemne ishin liderët politikë të shqiptarëve në Maqedoni, zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe Kuvendit në Maqedoni, kryetarja e komunës së Tetovës, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, rektorë dhe përfaqësues të shumicës së universiteteve publike në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Maqedoni./KosovaPress/