Presidenti i Kosovës, pasi ka përfunduar takimin me Matthew Palmer, përmes rrjetit social Facebook-ut ka treguar se çka ka biseduar me të.
“Me Mat Palmer, të ngarkuarin e State Departamentit për Ballkanin Perëndimor, biseduam për të arriturat e Kosovës, me theks të veçantë për maturitetin politik që u dëshmua në zgjedhjet e fundit. Kosova është partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë”, ka shkruar shkurt Thaçi.
Ndërsa, nga kumtesa presidenciale theksohet se Thaçi e Palmeri kanë biseduar për zhvillimet e fundit dhe për nevojën e krijimit të shpejt të institucioneve të Republikës së Kosovës. Aty thuhet se Thaçi ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.
“Kosova është një demokraci e konsoliduar, e dëshmuar në zgjedhjet e fundit. Ka institucione të pavarura të fuqishme, profesionale, të pavarura dhe liri të shprehjes”, ka thënë presidenti Thaçi.
Përfaqësuesi Special, Matthew Palmer, thuhet në njoftim, foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Presidenti Thaçi shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave për rend dhe ligj, për forcimin e të ardhmes euroatlantike, për reformat demokratike dhe do të angazhohet maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila forcon paqen jo vetëm brenda dy vendeve, por në tërë Ballkanin Perëndimor. /FaktePlus