Aktuale

Thaçi: Shtyrja e ratifikimit të demarkacionit e minon të ardhmen evropiane të Kosovës (Video)

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, la mesazhe të qarta gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Një prej tyre është se vendi duhet t’u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura, përfshirë edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Pas vizitës së tij, që konsiderohet shumë e rëndësishme për vendin, presidenti Hashim Thaçi sonte i është drejtuar me një mesazh qytetarëve të Republikës, duke folur për zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë.

“Çdo vonesë për ratifikimin nga Parlamenti i Kosovës e minon të ardhmen evropiane të Kosovës. I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytearët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen”, ka deklaruar Thaçi, transmeton Gazeta Express.

“Por, ky nuk është dëmi i vetëm. Ky do të ishte vetëm dëmi i fillimit që do të pasojnë sepse nëse dështojmë në ratifikimin e marrëveshjes, atëherë do të vonohemi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shtyhet për një kohë të pacaktuar procesi i integrimit në NATO”, ka thënë Thaçi.

“Për më tepër, askush në botë nuk na përkrah në acarimin e raporteve me vendin fqinj që gjithnjë na ka përkrahur, siç është Mali i Zi, i cili ka marr ftesë që të bëhet anëtar i NATO’s. Ne duhet të vazhdojmë raportin strategjik të fqinjësisë dhe vlerave euroatlantike me Malin e Zi. Ne nuk mund të korrigjojmë padrejtësitë historike tani, të cilat i dimë shumë mirë por duhet ta sigurojmë të ardhmen euroatlantike. Edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit duhet të implementohet. E kjo do të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, është shprehur presidenti. /Express