Shote Galica është simbol i madh i një qëndrese të paepur e të pabarabartë me armikun në armë e municione, por shumë superiore në vendosmëri, në karakter dhe trimëri.
Kështu u tha në akademinë përkujtimore me rastin e 90-vjetorit të vdekjes së njërës prej figurave më të ndritura të historisë kombëtare, Qerime Halilit-Shotë Galica.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vdekja e Shotë Galicës përkufizohet me fatin e heroit tragjik, një fund jo i rrallë i figurave të mëdha, që përkundër përmasave vigane, jetën e përfundojnë padrejtësisht në mjerim social dhe ekonomik, pa fajin e tyre.
I pari i shtetit, theksoi se Shotë Galica vdiq në Shqipëri në kushte të rënda pa përkujdesje institucionale, por e tillë ishte gjendja në shtetin shqiptarë.
“Përkundër fundit tragjik, Shotë Galica u shndërrua në simbol të gruas besnike ndaj atdheut, të heroinës që lufton për liri, të luftëtares së gatshme për sakrificë. Shotë Galica u bë simbol i kontributit të heroinave të heshtura të kombit, të nënave, bijave, vajzave dhe grave që në çdo periudhë historike përballuan të mirën dhe të keqen krahas familjes dhe kombit. Shotë Galica është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare. Shotë Galica është simbol i nënave, grave dhe motrave që gatuan, ushqyen, pastruan dhe shëruan luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare kudo në Kosovë e më gjerë. Shotë Galica është simbol i nënës shqiptare, i asaj nëne që lindi Shotë Galicën, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Jusuf Gërvallën, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Xhevë Lladrovcin dhe shumë luftëtarë e luftëtare, dëshmorë, heronj e heroina që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se me rastin e 90-vjetorit të vdekjes, bazuar në kompetencat ligjore dhe kushtetuese ka themeluar dekoratën “URDHRI SHOTË GALICA”, me të cilën do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi e quajti të vështirë të radhisë të bëmat, historinë e rezistencën e bijës me të madhe të kombit shqiptar, Shotë Galica. Sipas tij, padyshim se Shotë Galica është personaliteti me i madh si një zonjë, grua e femër që ka nxjerrë populli shqiptarë gjatë historisë mijëravjeçare.
“Vepra e saj është e ngulitur thellë, është kthyer në një legjendë të fëmijët, të brezi i ri, të brezi i rritur e më tej dhe legjendat nuk harrohen kurrë por kujtohen me një dashuri dhe respekt të veçantë. Shote Galica i meriton gjithë titujt që mund të ketë Shqipëria, Kosova e më tej. Është titull i madh i qëndresës, i një qëndrese të paepur e të pabarabartë me armikun në armë e municione, por shumë superiore në vendosmëri, në karakter dhe trimëri. Është një personalitet që ajo nuk do të ketë kurrë varrë, sepse flet nga varri dhe sa më tepër kalojnë vitet aq më tepër është e gjallë ndër ne”, theksoi Minxhozi.
Për jetën dhe veprën e heroinës Shotë Galica, foli edhe profesoresha Sala Ahmetaj, e cila tha se ajo shpërfaqet si gruaja më emblematike e kombit.
“Pa tingëlluar folklorike dhe patetike por duke u mbështetur në fakte mund të them se Shota na shfaqet si gruaja më unike dhe më e veçantë e Evropës dhe Ballkanit. Në kontekstin historik, politik dhe kulturor ajo shpërfaqet si gruaja më emblematike e kombit. Edhe para saj, e edhe më vonë kishte gra luftëtare, por edhe gra që kontribuuan në fushën e dijës, por në mes tyre si mal me kurorë qëndron Shota. Ajo është ndryshe nga të tjerat, sepse ajo në krah mbante pushkën e në dorë abetaren. Kështu portreti i saj nuk është vështirë për t’u skalitur, ajo ishte një grua që nuk e kishte Ballkani. Evropa e kishte një Zhan Dark që luftoi disa ditë dhe pas vetës kishte një ushtri të tërë. E ne shqiptarët kishim një Shotë që luftoj plotë 12 vjet me idealin e lirisë”, u shpreh Ahmetaj.
Historiani Ibrahim Çitaku foli për kontributin historik të Shotë Galicës, për të cilën tha se ajo u rrit me frymën e patriotizmit. Ai theksoi Shotë Galica radhitet në mesin e kolosëve të kombit.
Shotë Galica ka vdekur në korrikun e vitit 1927 në Shqipëri pas plagosjes së rëndë në një nga betejat në Kosovë. /KP/