Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe një herë ka përsëritur të premten kërkesën e ShBA-ve për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë.
Pasi u kthye nga vizita në ShBA, kreu i vendit në një konferencë për media tha se marrëdhëniet me SHBA-të janë qenësore për Kosovën, dhe duhet të ruhen si të tilla.
Sipas tij, nuk po kërkohet të hiqet taksa, por vetëm të pezullohet përkohësisht që t’i hapet rruga dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Natyrisht që ky vendim i takon Qeverisë së Kosovës, partnerëve të Kosovës, por nuk ka çmim që do paguante cenimin e marrëdhënieve me ShBA-të. Për ne kjo është qenësore, prandaj ftoj gjithë spektrin politik në vend që të reflektojë për këtë çështje dhe të marrin vendim”, tha ai.
Presidenti Thaçi për dy ditë radhazi ka qëndruar në ShBA, ku edhe ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan.