Aktuale

Thaçi i përgjigjet Petroniqit: Serbët s’kanë pse të frikësohen

Pasi Veroljub Petroniq, drejtor ekzekutiv i HumaniCenter dhe hulumtues i sferës së sigurisë nga Mitrovica e Veriut, tha se serbët nuk ndihen të sigurt as me FSK-në tani e as me krijimin e ushtrisë së Kosovës, ka marrë fjalën Presidenti Hashim Thaçi, i cili thotë se ushtria nuk paraqet pasiguri për asnjë qytetar të Kosovës përfshirë serbët.

Thaçi thotë se synimi i Kosovës është që të themelohet ushtria e koordinuar me NATO-n, KFOR-in dhe SHBA-në dhe beson se krijimi i saj do të jetë i suksesshëm pavarësisht dallimeve sepse Kosova ka nevojë dhe të drejtë ta ketë ushtrinë.

“Pavarësisht mënyrës, ky proces është kushtetues dhe legjitim”, është shprehur Thaçi.

Ai ka komentuar deklaratën e parafolësit të tij, Petroniq, i cili ka thënë se FSK-ja është produkt i Trupave Mbrojtës të Kosovës dhe jehona e veprimeve negative, sipas tij, të TMK-së kanë krijuar frikë te serbët.

“Në qershor të ’99-ës ka ndodhur demilitarizimi i UÇK-së, një proces i vlerësuar lart nga zyrtarë të huaj të lartë dhe shtete e QUINT-it e NATO-s për të hyrë pastaj në TMK, e pastaj deri te shpërbërja e saj në FSK”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se “FSK-ja është forcë e re nga zeroja dhe është bërë në koordinim të ngushtë të një sistemimi të njerëzve të rinj, nuk është vazhdimësi e TMK-së por forcë e re”.

Thaçi përmend se në vitin 2014 përfaqësuesit serbë janë dakorduar që ta mbështesin ushtrinë, por kjo nuk ndodhi.

“FSK-ja nuk themelohet për një qëndrim ofensiv, por vetëm për paqe. U përmend frika, unë tash e 12 vjet punoj më ngushtë me komunitetin serb, definitivisht është për mua argument i paqëndrueshëm mospëlqimi i dikujt për FSK-në se serbët po frikësohen”, ka përfunduar Thaçi në përgjigjen e tij. /Express/