Aktuale

Thaçi: Për murin nuk bisedojmë me Beogradin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë sot se për murin që është ndërtuar matanë lumit Ibër do të diskutohet vetëm me autoritetet e vendit dhe jo edhe me ato të Beogradit.

Këto komente i pari i vendit i bëri pas homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit me rastin e 20 vjetorit të rënies.

“Si shtet jemi shumë të vetëdijshëm se sot është dita e fundit e atij afati te nxjerr nga Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila duhet të respektohet nga institucionet e vendit me përpikëri. Çështja e murit nuk është çështje që duhet të diskutohet me autoritet e Beogradit, është çështje e brendshme kushtetuese dhe ligjore dhe në autoritetin e plot të institucioneve vendore. Por natyrisht institucionet vendore duhet të përmbyllin edhe procesin e Asociacionit dhe Demarkacionit sa më shpejt që është e mundur. Në mënyrë që të hapet perspektiva për liberalizimin e vizave”, tha presidenti Thaçi.

Sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshjes të mundshme mes përfaqësueses së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova, kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës Goran Rakiq dhe kryeministrit Isa Mustafa, Thaçi shpreson në një marrëveshje mes autoriteteve.

“Unë nuk mendoj se është arritur ndonjë marrëveshje, jam takuar dje edhe gjatë vikendeve me autoritetet qeverisëse. Mendoj, se është duke u diskutuar, shpresoj në marrëveshje për çdo rrethanë, autoritet vendore kanë të gjitha kompetencat e plota ligjore kushtetuese”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i Kosovës nuk e ka konfirmuar se do nesër do të shkojë në Bruksel ku pritet që të vazhdojë dialogu mes palës së Kosovës dhe asaj serbe./