Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.
Në këtë intervistë për Beta, Thaçi ka thënë se pret formimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës, e cila do të jetë perspektiva multietnike e vendit dhe do të mundësojë anëtarësimin në NATO.
“Zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet me ajër dhe duke penguar punën e njëri tjetrit. Kosova do të përmbushë detyrimet e saj dhe në të njëjtën kohë Serbia duhet të bëjë të njëjtën gjë. Ky është një proces që çon në Bashkimin Europian”, ka thënë Thaçi për Beta.
Thaçi ka folur edhe për situatën politike në vend dhe perspektivën e Kosovës.
“Unë po flas për agjendën shtetërore, interesant e vendit janë mbi interesat e adresave të caktuara. Unë mendoj se e ardhmja jonë Euro-Atlantike duhet të bashkojë qeverinë e opozitën dhe të gjithë qytetarët e vendit. Unë e di një gjë – populli i Kosovës shumë më shumë se sa zhurmën ditore politike e duan perspektivën europiane dhe kjo perspektivë arrihet me rritje ekonomike, me prosperitet, rritje të vendeve të punës, reforma demokratike, fqinjësi të mirë dhe pajtim”.
“Kosova është në rrugën e forcimit të sundimit të ligjit, forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative të fundamentalizmit fetar dhe terrorizmit, dhe në të njëjtën kohë duke punuar për të forcuar demokracinë. Mendoj se Kosova po bën hapa të rëndësishëm në rrugën e saj euroatlantike”.
Presidenti Thaçi, i cili është edhe në krye të politikës së jashtme ka thënë se identiteti i Kosovës po bëhet çdo ditë e më i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
Thaçi ka shtuar se Kosova u takon të gjithë qytetarëve të saj, dhe se Forcat e Armatosura të Kosovës do të përfshinë anëtarë nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Kjo do të jetë një forcë shumëkombëshe sipas standardeve të NATO-s. Unë jam optimist se kjo do të ndodhë”, ka thënë Thaçi në këtë intervistë me agjencinë e lajmeve Beta