Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk beson që britanikët do të votojnë pro daljes nga Bashkimi Europian. Ai ka theksuar se kjo do të kishte reflektime të shumta në shkallë të ndryshme, sidomos për shtetet ballkanike të cilave do t’u pamundësohej në një formë integrimi në BE.
“Nuk besoj që britanikët do të votojnë për të dalur nga Bashkimi Europian. Por në të njëjtën kohë, vet fushata duhet të jetë një mesazh edhe për Brukselin që diçka duhet të ndryshojë. Nuk dëshiroj të mendoj për largim, por nëse eventualisht ndodh, atëherë mund të themi që kemi të bëjmë me përmbyllje të këtij procesi të Bashkimit Europian dhe nisje të një të riu – me pasoja për shumë vende, sidomos për ato ballkanike. Do të kemi referendume në vende të njëpasnjëshme të vendeve për të dalur nga BE’ja. Kështu nuk mund të mendohet për zgjerim dhe problemet në Ballkan do të thelloheshin”, tha Thaçi në Zona e Debatit në Klan Kosova.
Thaçi për Brexit: Vota pro e britanikëve rrezikon të ardhmen europiane të Ballkanit
