Aktuale

Thaçi paralajmëron ratifikimin e demarkacionit në ditët e ardhshme

Pas lajmit se është shtyrë liberalizimi i vizave përshkak të mos ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit, ka reaguar Presidenti Thaçi.

Në një shkrim në faqen e tij në Facebook, Thaçi ka goditur partitë politike, duke thënë se të gjithë jemi humbës. Sipas tij, kosovarët e humbën liberalizimin e vizave përshkak të përfitimeve ditore të disa politikanëve. Por, ai ka thënë se Demarkacioni do të ratifikohet gjatë ditëve të ardhshme.

Thaçi po ashtu ka shtuar se demarkacioni si kauzë nuk ekziston duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare që të bashkohen për ratifikimin e marrëveshjes sepse kështu dalim fitues.

Lexoni shkrimin e tij të plotë:

Qytetarë të dashur,

Me të drejtë jemi duke pritur vendimin për liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian është gati për këtë vendim historik për shtetin e Kosovës.

Kriteri i mbetur, ai për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi duhet të plotësohet nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në ditët e ardhshme. Pa zbatimin e këtij kriteri, qytetarët e Kosovës, nga vetë politika kosovare, padrejtësisht po privohen nga lëvizja e lirë në zonën Schengen. Nga moszbatimi i këtij kriteri, vendimi nga Brukseli për Kosovën u shty në shtator. Nëse nuk ratifikohet tash demarkacioni, as në muajin shtator nuk do të flitet dhe as të vendoset për Kosovën.

Të gjithë do të jemi humbës.

Kjo çështje madhore duhet të largohet nga agjenda llogaritare e përfitimeve ditore politike. Çdo pengesë në zbatimin e këtij kriteri qytetarët e Kosovës do t’i mbaj të izoluar.

Demarkacioni, si kauzë, nuk ekziston.

Për liberalizimin e vizave kanë kontribuar të gjithë: pozita, opozita, shoqëria civile, mediet.

Me liberalizimin e vizave të gjithë jemi fitues.

Si president i vendit, i ftoj të gjitha partitë parlamentare që kjo e arritur evropiane t’i bashkojë dhe të ratifikohet marrëveshja. HTH