Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse ligjërisht nuk është pjesë e asnjë subjekti politik, pak ditë para fillimit të fushatës zyrtare ka nisur të zhvillojë takime në qytete të ndryshme të Kosovës, veçanërisht në të ashtuquajturat “bastione” të PDK-së, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Analistët politikë thonë se po që se Thaçi vazhdon me takime të këtilla, atëherë qartazi shihet se ai po bën fushatë për subjektin që drejtoi deri ditën kur u bë president, PDK-në.
Sipas tyre, Thaçi duhet të përmbahet dhe të mos përfshihet në fushatë, pasi që me veprime të tilla, siç shprehen ata, shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e LDK-së (parti kjo që për vite me radhë bashkëqeverisi me Thaçin), konsiderojnë se një strategji e tillë paraqet shkelje të kufizimeve kushtetuese të presidentit.
Sipas tyre, ish-lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, takimet nëpër shkolla po i zhvillon kryekëput për PDK-në, shkruan tutje “Zëri”.
Por, ky i fundit ka deklaruar se takimet në fjalë po i mban në kuadër të programit vjetor.