Aktuale

Thaçi në ShBA: Asnjë delegacion nuk është i ftuar në inaugurimin e Trumpit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan Donald Trump.

Kjo për faktin se sipas tij, asnjë zyrtar kosovar nuk ka marrë ftesë të jetë pjesë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan.

Madje, Thaçi i cili po qëndron në ShBA në një vizitë zyrtare, tha për televizionin publik se në ceremoninë e zgjedhjet së Trumpit president, nuk janë ftuar as delegacione nga vende të tjera të huaja.

“ Unë këtu jam në vizitë zyrtare dhe jo për inaugurim. Shtetet do të përfaqësohen vetëm nga ambasadorët dhe asnjë delegacion i huaj nuk ftohet të marrë pjesë – as nga Kosova, as nga vendet e tjera”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se gjatë qëndrimit të  tij në SHBA do të vërë kontakte me zyrtarë të administratës së Trump, duke konfirmuar edhe një takim me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden.