Drejtori i përgjithshëm i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi ka ndryshuar gjithë strukturën udhëheqëse të burgjeve të Kosovës. Ai këtë vendim e ka marrë disa ditë më parë, ndërsa të emëruarit e ri kanë marrë detyrën zyrtarisht sot, shkruan FaktePlus.
Sipas vendimit të Thaçit që ka siguruar FaktePlus, detyra drejtuese kanë marrë gjashtë persona nëpër qendra të ndryshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Drejtori aktual i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi ka bërë të ditur në shkresën e tij se emërimet e reja do t’i nënshtrohen vlerësimit pas periudhës 3 e deri në 6 muaj të punës.
Ai u ka kujtuar në këtë rast drejtuesve të mëhershëm të burgjeve se të gjitha pajisjet logjistike që kanë përdorë deri sa kanë qenë në detyrë duhet të kthehen tek organet kompetente, pasi edhe janë pasuri e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Duhet përmendur se në Kosovë ka gjithsej katër qendra korrektuese e gjashtë qendra të paraburgimit dhe një burg të sigurisë së lartë që funksionojnë në rang Republike.
Sipas të dhënëve zyrtare në gjithë këto burgje e qendra korrektuese që posedon Kosova, janë duke vuajtur dënimin rreth 1600 burgosur.
Ndërsa llogaritjet tregojnë se rreth 840 euro është shuma e parave që i harxhon shtetit një i burgosur për çdo muaj. Kjo shifër arrin deri në 10 mijë e 80 euro në vit për një të burgosur.
Sipas një përllogaritjeje për të gjithë të burgosurit, shteti më i varfër në rajon, Kosova, harxhon për një vit më shumë se 15 milionë euro. Ndërsa në tri vjetët e fundit janë shpenzuar afër 50 milionë euro nga kuleta e shtetit./FaktePlus