Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është nderuar sot me medaljen “Nderi i Akademisë” nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Presidenti Thaçi ka falënderuar anëtarët e Akademisë për akordimin e kësaj mirënjohje, duke shprehur respekt për të gjithë akademikët shqiptar që jetën ia kanë kushtuar kërkimit shkencor.
Këtë nderim, presidenti Thaçi ka thënë se e konsideron si një çështje që nuk ka të bëjë vetëm me kontributin dhe emrin e tij, por edhe me simbolikën gjithëpërfshirëse e përfaqësuese që përmban institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Prandaj e konsideroj çmimin tuaj një shprehje nderimi e vlerësimi për lidhjen e fortë që na bën të ndihemi të njëjtë, në gjithë hapësirën historike shqiptare, pavarësisht disa dallimeve e pengesave që ka krijuar historia”, ka shtuar ai.
Ndërsa, Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka thënë se me këtë mirënjohje, ne duam të vlerësojmë misionin tuaj në krye të shtetit të Kosovës, një mision që ju e keni kurorëzuar në kohë të mbara e në kohë të vështira.
“Vendimin për të çmuar në një shkallë shumë të lartë kontributet tuaja, që janë historike, ne e formatizojmë sot, duke ju akorduar me solemnitet mirënjohjen “Nderi i Akademisë”. Akademia jonë e Shkencave ka qenë e para që, përmes botimit në disa gjuhë të librit “Kosova, një vështrim enciklopedik”, bëri të njohura botërisht meritat tuaja si njeriu që qëndroi në krye të procesit të pavarësimit të Kosovës”, ka shtuar ai.