Krerët e Republikës së Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë pritur në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë në cilësinë e presidentit shqiptar.
Ai u prit me ceremoni shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova”, për të vazhduar më tej takimin bilateral me presidentin Hashim Thaçi.
Në këtë takim përveç marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve u diskutua edhe për problemet me të cilat Kosova po ballafaqohet tani, si demarkacioni me Malin e Zi dhe liberalizimi i vizave, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Për këtë të fundit presidenti Thaçi tha se e vetmja shpresë për qytetarët e Kosovës që të lëvizin të lirë është që Shqipëria t’ua japë nënshtetësinë shqiptare shtetasve të Kosovës.
“I kërkova Metës që në bazë të Kushtetutës t’u jepet shtetësia kosovarëve pasi Evropa po bën padrejtësi ndaj kosovarëve. Pra, e vetmja shpresë është Shqipëria”, ka thënë ai. Thaçi më tutje ka thënë se këtë kërkesë e ka bërë te presidenti Meta i shtyrë nga politika bllokuese e Bashkimit Evropian. “Pasi demarkacioni është bërë kusht i domosdoshëm në të ardhmen e afërt unë nuk shoh ndonjë zgjidhje që mund të kalojë kjo marrëveshje dhe politika bllokuese e BE-së më shtyn që sot të lutem para shtetit të Shqipërisë duke respektuar ligjin e Kushtetutën e të dyja shteteve të na japin nënshtetësi”, tha ai.
Ndërkohë presidenti shqiptar Ilir Meta tha se kushtëzimi i liberalizimit të vizave për Kosovën me demarkacionin me Malin e Zi është i padrejtë, por tha se ky proces duhet të kalohet me mençuri pasi është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
“Ne besojmë që është e padrejtë të kushtëzohet liberalizimi me çështjen e demarkacionit. Ekziston një problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, por me përgjegjshmëri do të tejkalohet. Është e domosdoshme që me shumë mençuri të kalohet çështja e demarkacionit se kjo është e rëndësishme jo vetëm për vizat, por edhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Meta.