Presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka kujtuar me rastin e 103 vjetorit të vrasjes, heroin e kombit dhe atdhetarin, Isa Boletini.
Në këtë rast, Thaçi ka përmendur porosinë që kishte lënë Boletini një shekull më parë për bashkimin kombëtar dhe fuqizimin e kombit.
“U bënë 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i kombit tonë ishte porosia që na e la Isa Boletini”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social.
Sipas tij, përpjekjet e Isa Boletinit të bëra një shekull më parë për çlirimin e trojeve etnike, përbëjnë ende frymëzim për shumë breza të rinj dhe janë obligim për të përmbushur aspiratat e vendit.
“Amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot që të punojmë pareshtur për përmbushjen e aspiratave tona”, ka thënë presidenti Thaçi.