Aktuale

Thaçi: Kosovës i duhet themelimi i ushtrisë, KFOR-i s’qëndron gjithmonë në Kosovë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova duhet ta themelojë ushtrinë e saj, duke qenë se është në interes te të gjithëve dhe në interes të sigurisë e paqes në Kosovë dhe me gjerë.

Në debatin e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) për temën “Qëndrimi i komunitetit serb rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, kreu i shtetit, theksoi se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi për askënd, ashtu siç nuk paraqet asnjë kërcënim as FSK-ja sot.

Presidenti Thaçi u shpreh se debati për transformimin e FSK-së, shpeshherë është përcjellë edhe me keqkuptime të reduktuara rreth pyetjes nëse duhet të përmbyllet ky proces përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimeve ligjore. Por, sipas tij, ky procesi sido që të përfundojë, apo ndryshime ligjore apo kushtetuese, është tërësisht kushtetues.

Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi, ashtu siç nuk paraqet sot FSK-ja. Pra, qëllimi i vetëm i FSK-së sot dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës nesër, do të mbetet i njëjtë. Pra, fuqizimi i paqes, stabilitetit në rajon dhe ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Ky proces i filluar vite më parë gradualisht është duke shkuar drejt fazë përfundimtare…Askush nuk mund ta bllokojë qëllimshëm këtë proces. Askush nuk mund të vë veto ndaj këtij procesi. Pavarësisht mënyrës sesi do të përfundojë procesi, ky është një proces kushtetues dhe ligjor të cilin nuk mund ta kontestoj askush. Po e theksoj këtë fakt për të hequr disa keqkuptime që mund të ekzistojnë tek disa shtete anëtare të NATO-s”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit, ndryshimet kushtetuese, i quajti të domosdoshme vetëm në kuptimin simbolik, të ndërrimit të emrit të FSK-së në FAK, si dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, Kosova siguron një përfshirje më të gjerë të të gjitha komuniteteve, gjë që do ta bënte më të lehtë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Duke iu përgjigjur deklaratave se Kosovës nuk i duhet ushtria meqë aktualisht sigurinë në Kosovë e garanton KFOR-i me prezencën e saj, Thaçi tha se NATO nuk qëndron gjithmonë në Kosovë.

“Ne e dimë, të gjithë së bashku, që KFOR-i nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë. Për më shumë, është interes i KFOR-it dhe i Paktit NATO që sa më parë që është e mundur, Kosova të qëndrojë në këmbët e saj edhe në këtë segment të veçantë të sigurisë. Tek e fundit, Forcat e Armatosura do të bëhen në bashkëpunim të plotë me KFOR-in, Paktin NATO dhe SHBA-në”, u shpreh ai.

Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativa e Re Sociale (NSI) në Mitrovicën e Veriut, tha se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese, sepse anashkalimi i Kushtetutës nga hulumtimet që kanë bërë do të ishte i papranueshëm.

“Anashkalimi i Kushtetutës në këtë mënyrë do të dërgonte një mesazh në tërë shoqërinë sepse nëse anashkalohet Kushtetuta dhe përmes ndryshmeve të ligjit të bëhet kjo, del se askush nuk e ndjen vetën të sigurt dhe mund të anashkalohen shumë lehtë edhe shumë çështje tjera….Ajo që është kyçe është se niveli i lartë i frikës dhe i mosbesimit sa i përket transformimit dhe themelimit të FAK-të është i pranishëm tek komuniteti serb i Kosovës, çka do që të bëhet këtij procesi dhe transformimit të FSK-së, duhet të merret kjo komponentë dhe të merret parasysh që të jemi të sigurt që procesi është bërë në mënyrën me të mirë për të gjitha popullatën e Kosovës”, theksoi Radosavljeviq.

Ajo, shtoi se aktualisht nuk ka asnjë rrezik Kosova nga jashtë apo brenda që të ketë nevojë themelimin e Forcave të Armatosura.

Edhe drejtori ekzekutiv i HumaniCentar dhe hulumtuesi i sferës së sigurisë në Mitrovicën e Veriut, Veroljub Petroniq, theksoi se aktualisht serbët në Kosovë janë kundër themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Këtë, ai e bazoi në hulumtimet që kanë bërë në komunat me shumicë serbe rreth qëndrimeve të tyre karshi kësaj çështje dhe çështjeve tjera.

“Dua të them që ka me shumë probleme kur bëhet fjalë për sigurinë në kuptim të ngushtë dhe të gjerë. 71.5 përqind të serbëve nuk i besojnë askujt, është një e dhënë brengosëse edhe për Prishtinën edhe për Beogradin, të jemi real dhe ta themi, sepse edhe njëra edhe pala tjetër duhet të pyeten se pse është kështu. 87.7 përqind të serbëve mendojnë se nuk duhet të formohet ushtria e Kosovës, 8.7 përqind nuk kanë qëndrim për këtë, ndërsa vetëm 3.5 përqind të serbëve janë për atë që të formohet ushtria e Kosovës. Pra ishte pyetja, nëse formohet ushtria e Kosovës, nëse serbët duhet të përfshihen në ushtrinë e Kosovës, 74 për qind kanë thënë nuk duhet të hyjnë, 73.4 për qind nuk duhet të tjerët, ose kanë qenë disi 12 janë deklaruar se serbët duhet të përfshihen në Ushtrinë e Kosovës nëse themelohet”, deklaroi Petroniq.

Ai theksi se themelimi i ushtrisë së Kosovës varet nga marrëveshja me Serbinë. Petroniq ia kujtoj presidentit kur në vitin 2015 i kishte thënë Marco Gjuriqit se do ta formojnë ushtrinë me apo pa Serbinë.

Sipas tij është interesante se shumica e atyre që janë për ushtrinë e Kosovës janë nga Mitrovica, që është e pakuptueshme.

Ndërsa, Burim Ramadani, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, theksoi se procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Sipas tij, Kosova nuk duhet ta bëjë ushtrinë si reagim ndaj askujt, as ndaj Serbisë, por vetëm për nevoja të veta të brendshme. /KP/