Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, pas marrëveshjes së arritur për rrënimin e murit, ka thënë se Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë.
Postimi i plotë i Presidentit Thaçi:
Marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës, është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje.
Kjo është rruga e duhur që duhet ta ndjekim të gjithë, sepse vetëm me angazhim të përbashkët mund ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë dhe mund ta forcojmë edhe paqen e stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin.
Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika urrejtëse dhe interferimet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë.
Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë. HTH