Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar në Nju-Jork ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, të cilin e ka falënderuar për vendimin e qeverisë së këtij shteti për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, si një fillim i një bashkëpunimi të suksesshëm.
“E përgëzova ministrin Balakrishnan për zgjedhjen e Presidentes së re të Singaporit, Halimah Yacob. Singapori është një model se si multi-kulturalizmi është një forcë e një shoqërie”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Singaporin, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë.
Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin Balakrishnan për gatishmërinë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Të dy shprehën vullnetin e tyre për hapjen e një Zyre për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare të Republikës së Kosovës në Singapor.