Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e quajtur të domosdoshme ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të arritur në gusht të vitit 2015.
Kreu i shtetit theksoi se është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës që tash t’i bëjë votat që ta ratifikoj atë marrëveshje, në mënyrë që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.
“Demarkacioni është domosdoshmëri që të kaloj në Kuvendin e Kosovës. Mendoj që është përmbyllur debati i mëtutjeshëm rreth kësaj çështje. Gjithçka është shumë e qartë. Nëse ne duam liberalizim të vizave, demarkacioni në përputhshmëri me marrëveshjen e arritur në gusht 2015 duhet të kaloj në Kuvendin e Kosovës. Pra, tash është përgjegjësi e jona t’i bëjmë 2/3 në Kuvend dhe ky proces të kaloj, pastaj ndodh liberalizimi i vizave, kjo çështje është e sigurt. Tash rrethanat si është nënshkruar marrëveshja, unë i qëndroj fuqishëm pas atij nënshkrimi, besoj se ka qenë i drejtë”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi e ka vlerësuar të dëmshme zvarritjen e këtij procesi, duke u munduar që të dalin përtej vlerësimeve të NATO-së, Departamentit të Shtetit, Brukselit, ekspertëve të pavarur amerikan, gjerman e anglez.
Madje, sipas tij, nuk kanë adresë me të besueshme se sa këto qendra për ta vërtetuar se ajo marrëveshje është e drejt dhe se qëndron fuqishëm prapa nënshkrimit që ka vënë në gushtin e vitit 2015.
“Mund të dalin shkresa të ndryshme, por faktet nuk ndryshojnë, sepse kemi vlerësime të komisionit shtetëror të Kosovës, të ekspertëve ndërkombëtar që kanë qenë amerikan, anglez, gjerman, kemi vlerësimin e NATO-së, vlerësimin e Departamentit të Shtetit, vlerësimin nga ish presidenti Obama, zëvendës-presidenti Biden dhe tash konfirmimi në takimin e fundit që kam zhvilluar në shtëpinë e bardh me zëvendës-presidentit Pence. Ne nuk dimë me kë tjetër të konsultohemi, me BE-në, me NATO-në, Washingtonin, tjetër adresë nuk kemi të besueshme dhe të qëndrueshme. Kush kërkon ekspertizë akademike të katedrës dhe ballafaqimeve të ideve brenda për brenda, nëse tejkalon ekspertizat e NATO-së, departamentit të shtetit, shtëpisë së bardhë, Brukselit, sinqerisht mendoj se është e dëmshme kjo zhagitje për vendin tonë”, theksoi ai.
I pari i vendit kishte nënshkruar marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi në gusht të vitit 2015, por që nuk arriti të ratifikohet në Kuvend, pasi opozita e atëhershme duke përdorur gaz lotsjellës e gjëra të tjera, por edhe kundërshtimi i një numri të madh të deputetëve të pozitës, bëri që ajo marrëveshje të mos ratifikohet.
Ndërsa, pas ardhjes së Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit, ka shkarkuar komisionin qeveritar për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në krye me Murat Mehen, derisa ka emëruar Shpejtim Bulliqin kryetar të komisionit të ri qeveritar për gjetjen e fakteve të reja për demarkacionin me shtetin fqinjë. /kp