Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili po viziton Kosovën, është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ky i fundit pati lutje ndaj Metës që qytetarët e Kosovës të pajisjen me nënshtetësi shqiptare, por Meta i tha se kjo nuk është zgjidhje por e vetmja zgjidhje mbetet zhbllokimi i procesit të demarkacionit.
Presidenti Thaçi me këtë rast i ka ndarë presidentit Meta çmimin “Urdhri i Pavarësisë“, për kontributin e dhënë për mbështetjen e Kosovës, në të gjitha proceset.
“Gjithë ato përkushtime të juaja për njohje për Kosovën. Anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si një prej personaliteteve arkitekt të mbështetjes së shtetit shqiptarë për lirin dhe pavarësinë e Kosovës, sot si President i Kosovës dhe si mik i juaj të ndaj çmimin për ju “Urdhri i Pavarësisë”, tha ai.
E Presidenti Meta tha është i emocionuar që po e viziton Kosovën si President i Shqipërisë, gjë të cilën vështirë e kishte imagjinuar gjatë viteve 96-97.
“Është një surprizë e veçantë kjo dekoratë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për mua, por unë do ta marrë atë më shumë si vlerësim, për atë që gjithë qytetarët e Shqipërisë kanë bërë mbështetje të lirisë, pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të angazhohen sot para Presidentit të Republikës së Kosovës, për angazhimin e më tejshëm në forcimin e pavarësisë së Kosovës, të njohjes së saj ndërkombëtare dhe të realizimit të aspiratës për perspektivën evropiane tërësisht të prekshme të saj dhe gjithë rajonit tonë, sepse e ardhmja evropiane e Kosovës është e rëndësishme për të ardhmen evropiane të gjithë rajonit tonë”, tha ai.
Pas takimit presidenti Thaçi tha se ka kërkuar nga Presidenti Meta, që t’i Shqipëria t’i pajisë qytetarët e Kosovës me nënshtetësi shqiptare, pasi që ata po vazhdojnë të mbeten padrejtësisht në një izolim klasik nga BE-ja.
Ai tha se e vetmja shpresë në këtë moment ka mbetur pajisja e qytetarëve kosovarë me nënshtetësi shqiptare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e të dyja vendeve dhe se kjo sipas Thaçit, është nevojë imediate.
“Pasi që Demarkacioni është vë si kusht i domosdoshëm që Kosova ta implementoj që të ndodh liberalizimi i vizave. Në të ardhmen e afërt, unë nuk shoh ndonjë perspektive të Kosovës me këtë logjik, mentalitet dhe filozofi të funksionimit, që mund të kaloj marrëveshjen e arritur mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Në anën tjetër dhe qasja bllokuese e BE-së që është argument shtesë, në raport me Kosovën, më shtyn që sot t’i lutem Presidentit të Shqipërisë dhe autoriteteve tjera të Shqipërisë, që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe të drejtën për dyshtetësi, t’u lejohet qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë për shtetësi, të fitojnë këtë të drejtë dhe të lëvizin lirshëm në Evropë. Aktualisht kjo është shpresa e vetme me lëvize qytetarët e Kosovës lirshëm”, tha ai.
E presidenti Meta i cili tha se është në pozitë të vështirë, pasi që ka presione dhe kërkesa pafund nga personalitete dhe nga qytetarë të Kosovës, për të marrë nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë.
Ai shtoi se kjo nuk është zgjidhja dhe se e vetmja zgjidhje mbetet zhbllokimi i procesit të demarkacionit.
“Pa dyshim ne mirëkuptojmë dhe ketë kërkese që vjen nga ky presion i drejtë i qytetarëve të Kosovës. Vazhdimisht dëgjojë dhe për keqtrajtime dhe prej zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të lartë për shkak të kësaj pengese. E kuptoj se çfarë ndodh dhe me qytetarët e thjeshtë apo studentët nga Kosova që dëshirojnë të studiojnë në vendet tjera evropiane. Sigurisht zgjidhja nuk është që të merret nënshtetësia shqiptare për gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga dëshira për ta kaluar këtë problem. Jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana ime apo nga institucionet e Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi, dhe unë shpresoj që politika këtu në Kosovë pas zgjedhjeve të afërta vendore në një dialog edhe më aktiv me BE dhe Malin e Zi e zhbllokojnë këtë çështje”, tha ai.
Në fund dy presidentët nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë rënë dakord që mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me synim të përbashkët për arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane; rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë; shprehin mirënjohje për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen, si dhe përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon.
Dy presidentët nëpërmjet kësaj deklarate, rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit, në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese dhe shprehin solidaritetin ndaj sfidave me të cilat përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë, por gjithashtu zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida.
“Refuzojmë me vendosmëri çdo alternative tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:
1. Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit, që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; ngaqë integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon;
2. Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO;
3. Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, angazhimin e Kosovës që të bëjë çdo përpjekje të zgjidhë në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndërsjellë çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Mal in e Zi;
4. Vazhdimin e fazës përfundimtare dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim të njohjes përfundimtare të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për gjithë rajonin”, thuhet në deklaratën e përbashkët. /kp