Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja e mbështesin transferimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Ndërsa në rast se nuk votohet ushtria, ai thotë se do të jep dorëheqje.
Thaçi në një intervistë për RTK, ka thënë se ky proces do të përmbyllur 100 përqind në koordinim më SHBA-të. Ndërsa ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare e ka obligim ta bindë Beogradin, që të mos interferojë në çështje të brendshme të Kosovës.
Presidenti ka sqaruar se do të miratohen edhe ndryshimet buxhetore, ku për ushtrinë parashihet një buxhet shtesë prej 250 deri në 300 milionë euro.
Ai ka shprehur besimin në opinionin e Qeverisë dhe të kryeministrit Mustafa në lidhje me Projektligjin e FSK-së, kurse ka shtuar se në këtë proces kryesore është që Kuvendi t’i thotë po projektligjit, pasi ai të dërgohet në Kuvend.
Po ashtu ai ka shprehur besimin se çdo deputet do të votojë për formimin e ushtrisë. “Një legjislacion që nuk e voton ushtrinë e vet, mendoj se duhet me shku në shtëpi”, ka vlerësuar Presidenti Thaçi.
Ai ka bërë të ditur se në atë moment që nuk do të votohet ushtria nga Kuvendi i Kosovës, ai do të jetë dorëheqje, për siç ka thënë nuk ka arsye të jetë president i një vendi që nuk e voton ushtrinë. Por Thaçi ka tërhequr vërejtën se nëse nuk votohet, do të kalojnë dekada që Kosova të ketë ushtrinë e saj, pasi Beogradi kurrë nuk do të pajtohet me formimin e ushtrisë së Kosovës.
Presidenti ka folur edhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ku ka pohuar se vënja e demarkacionit si kusht për liberalizimin e vizave, është i padrejtë, por thotë se në momentin që votohet demarkacioni, vizat do të hiqen për lëvizjen e qytetarëve në Evropë, transmeton KosovaPress.