Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar diplomatin gjerman Wolfang Ischinger në Minsk të Bjellorusisë. Gjatë këtij takimi, Thaçi nuk e ka përmendur idenë e tij për korrigjim të kufijve, ndonëse ka deklaruar se ekziston një nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, që do t’i jepte fund konflikteve
Thaçi ka publikuar një foto në twitter me Ischingerin duke ngrënë mëngjes, derisa ka shkruar se që të dy janë dakord se ekziston një nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e cila mbyll kapitujt e konfliktit në Ballkan, dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Gjithmonë një kënaqësi për të diskutuar me ambasadorin @ischinger – tani në #Belarus për #MSCMinsk. Ne të dy jemi dakord se ekziston një nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e cila mbyll kapitujt e konfliktit në Bakans dhe mundëson anëtarësimin e Kosovës në @UN, @NATO dhe BE”, ka shkruar Thaçi.
Ndryshe, derisa Thaçi po qëndron në Minsk, deputetët e Kuvendit të Kosovës në ora 10:00 do të mblidhen në seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me idenë e tij për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, apo siç po e quan ai “korrigjimin e kufijve”.
Me vetëm një pikë të rendit të ditës opozita synon që të ndalojë presidentin Hashim Thaçi që temë të dialogut ta ketë edhe territorin e vendit.
Thaçi muajt e fundit ka prezantuar idenë e njohur tashmë si “korrigjimi i kufijve”, e cila sipas tij mundëson bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Për këtë ka pasur kritika jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar si dhe ndërkombëtarët kanë shprehur shqetësime. /Express